Lidhje

Përfaqësuesit ndërkombëtarë bëjnë thirrje për përmbajtje në protestën e PD-së - 2004-02-20


Një katërshe përfaqësuesish ndërkombëtarë të Bashkimit Europian, Komisionit Evropian, Shteteve të Bashkuara dhe OSBE-së kanë zhvilluar gjatë këtyre ditëve disa takime në qendër të të cilave ka qenë protesta e nesërme e opozitës.

Pas bisedimeve me kryetarin e Partisë Demokratike, më pas me ministrin e jashtëm Katriot Islami ata u takuan të premten me presidentin Alfred Moisiu.

Sipas njoftimit të presidencës, katër ambasadorët theksuan se protestat janë një e drejtë qytetare por dhuna është e papajtueshme. Sipas tyre është e detyrë e qeverisë të mbrojë institucionet e saj dhe të marë masa që gjatë protestës të ketë përmbajtje duke iu larguar provokimeve.

Të katër përfaqësuesit ndërkombëtarë i kanë bërë thirrje palëve të përfshira që protesta të jetë e qetë dhe e përmbajtur pasi vetëm kështu mund të ndihmojë në përmirësimin e imazhit të Shqipërisë.

Edhe kreu i shtetit ka deklaruar se protestat janë një formë demokratike e shprehjes së pakënaqësisë për koston e zbatimit të reformave, por ato duhet të zhvillohen të qeta e paqësore, pa shkelur ligjin dhe rregullat.

Nga ana e tij, edhe të premten kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha, përsëriti siç ka bërë gjatë gjithë kësaj periudhe, se protesta do të jetë tërësisht paqësore.

Ai tha gjatë një mbledhjeje të grupit parlamentar demokrat se opozita do të marrë përgjegjësitë e veta për organizmin e manifestimit dhe ftoi përkrahësit që të shmangin provokimet:

“Ftoj të gjithë protestuesit të shmangin çdo akt provokimi. Dua të bëjë të qartë se kjo është një lëvizje gandiste, një lëvizje jo e dhunshme, në të cilën ne duhet të fitojmë me ngadhnjimin e vlerave qytetare prandaj duhet të shmangim cdo provokim”, tha ai.

Nga ana tjetër zoti Berisha kërkoi nga forcat e Rendit dhe efektivat e shërbimeve sekrete që të mos provokonin pasi do të mbanin përgjegjësi në një rast të tillë. Opozita ka fajësuar segmente të shërbimeve sekrete si nxitëse të incidenteve pranë selisë së kryeministrisë në protestën e 7 shkurtit, ndërkohë që qeveria bëri atë përgjegjëse për aktete e dhunës.

Megjithëse policia ka dhënë leje për zhvillimin e manifestimit vetëm në sheshin Skënderbej, opozita ka deklaruar se ajo do të vazhdojë edhe përgjatë bulevardit deri në sheshin Nënë Tereza përpara Universitetit të Tiranës. //kk//

XS
SM
MD
LG