Lidhje

Kandidati Howard Dean i jep fund fushatës presidenciale - 2004-02-20


Pasi konkuroi pa asnjë fitore në 17 konferenca partiake, Howard Dean u tha përkrahësve të tij në Vermont se kishte ardhur koha për t’i dhënë fund fushatës së tij për Shtëpinë e Bardhë, ndërkohë që do të vazhdojë fushatën për të ndryshuar Partinë Demokrate:

"Ne kemi demaskuar natyrën e rrezikshme radikale të programit të presidentit Bush. Ne u kemi treguar demokratëve të tjerë se është më mirë të ngrihen kundër programit djathtist të George Bushit se sa të bashkëpunojnë me të," - tha zoti Dean.

Për momentin, Howard Dean nuk do të mbështesë asnjë nga kandidatët kryesorë, senatorin nga Masaçusets John Kerry apo senatorin nga Karolina e Veriut John Edwards. Ai përjashtoi edhe mundësinë për të konkuruar si kandidat i një partie të tretë këtë vit, duke thënë se përparësia është mundja e presidentit Bush në nëntor.

Zoti Dean po u bën thirrje përkrahësve të tij të vazhdojnë angazhimin në procesin politik dhe të mbështesin kandidatët përparimtarë në përpjekje për të ndryshuar dhe gjallëruar Partinë Demokrate.

Analistët politikë po përpiqen tani të vlerësojnë ndikimin që do të ketë tërheqja e zotit Dean nga skena politike.

Brenda afro një viti Howard Dean u shndërrua nga një ish-gurvenator i një shteti të vogël në kandidatin e preferuar për të fituar emërimin e Partisë Demokrate dhe për t’u ndeshur me presidentin Bush në nëntor. Po aq shpejt ai kaloi nga konkurenti më i fortë në një kandidat që nuk kishte fituar asnjë konferencë partiake apo zgjedhje paraprake, duke u detyruar kështu të largohej nga gara.

William Shnaider, analist pranë Institutit Amerikan Enterprise thotë se kritikat e ashpra të zotit Dean ndaj presidentit Bush si dhe kundërshtimi ndaj luftës në Irak e veçoi atë që në fillim nga kandidatët e tjerë. Por ai shton se zoti Dean e pati të vështirë të fitonte pëlqimin e votuesve demokratë për ta mbështetur në zgjedhjet paraprake:

"Sapo votuesit e panë nga afër këtë kandidat, ndodhi diçka interesante. Kjo u shfaq edhe në anketa në të gjithë vendin. Votuesit nuk e pëlqyen. Votat për zgjedhjet presidenciale janë zgjedhja më personale për amerikanët. Pasi njerëzit do ta durojnë këtë person për katër vjet. Howard Dean nuk kishte cilësi shumë tërheqëse",- tha zoti Shnaider.

Larry Sabato, i Universitetit të Virxhinias thotë se senatori Kerry, dhe deri në një farë mase edhe senatori Edwards, kanë bërë një punë më të mirë për të bindur demokratët se do të jenë konkurentë më të fortë për presidentin Bush sesa zoti Dean:

"Howard Dean ishte një kandidat shumë i mirë, i cili krijoi mënyra të reja në konkurimin për president, gjë që do të mbetet në histori. Por më pas ai ra viktimë e procesit të eliminimit në bazë të aftësive për t’u zgjedhur. Demokratët e urrejnë George Bushin aq shumë saqë nuk mund të rrezikonin me Howard Dean si kandidat. Nuk donin të humbnin shansin për ta mundur Bushin, duke nxjerrë si kandidat për president Howard Deanin",-thotë analisti.

Me përfundimin e fushatës së zotit Dean, kandidatët Kerry dhe Edwards do të vendosen përballë njëri-tjetrit, gjë që senatori Edwards e ka kërkuar prej kohësh.

Pritet që të dy kandidatët të përpiqen të bëjnë për vete mbështetësit e zotit Dean, duke pasur parasysh suksesin e këtij kandidati për të organizuar mbështetjen e shtresave më të ulëta dhe për të tërhequr fonde të mëdha nga shumat e dhuruara përmes internetit.// lk //

XS
SM
MD
LG