Lidhje

Iran: Konservatorët fitojnë në zgjedhje - 2004-02-20


Në Iran, rezultatet e deritanishme të zgjedhjeve parlamentare, tregojnë se kandidatët konservatorë të mbështetur nga udhëheqja islamike e vijës së ashpër e vendit korrën një fitore të madhe.

Zyrtar të Ministrisë së Brendshme në Teheran konfirmuan se kandidatët konservatorë kishin fituar në shumicën e zonave elektorale ku janë numëruar votat.

Një numër zyrtarësh të partive reformiste thonë se parashikojnë që konservatorët të kenë shumicën në legjislaturën e re të vendit.

Fitorja e kandidatëve konservatorë ishte thuajse e garantuar, pasi Këshilli Mbikëqyrës i vijës së ashpër skualifikoi 2 mijë e 400 kandidatë, kryesisht reformistë, mes të cilëve 80 anëtarë të parlamentit të tanishëm, i cili mbizotërohej nga reformistët.

Këshilli Mbikëqyrës, anëtarët e të cilit emërohen nga klerikë të lartë myslimanë dhe aleatë të tyre, gëzon të drejtën e vetos ndaj vendimeve të parlamentit. Vendimi i këshillit për të skualifikuar kandidatët reformistë nxiti thirrjet për bojkotimin e zgjedhjeve.

Konservatorët, të cilët gëzojnë mbështetjen e plotë të udhëheqësit superm Ajatollahut Ali Kahmenei, thanë se duke marrë pjesë në zgjedhje, votuesit do të tregonin besnikërinë e tyre ndaj Islamit dhe Iranit.

Politikanët e vijës së ashpër pretendojnë se pjesëmarrja në votim ishte e lartë, por nuk ka njoftime nga burimeve të pavarura sesa nga 46 milionë zgjedhësit e regjistruar morën pjesë në votim.//kk//

XS
SM
MD
LG