Lidhje

UNMIK-u dhe qeveria e Kosovës dënojnë sulmin kundër ministrit të mjedisit - 2004-02-22


Kryeadministratori i Kosovës Harri Holkeri dënoi të dielën ashpër sulmin ndaj Ministrit të Mjedisit dhe të Planifikimit Hapësinor, Ethem Çeku, dhe të katër personave të tjerë.

Në një reagim të dërguar nga zyra e tij e shtypit, zoti Holkeri thekson se ishte tronditur thellë nga shpërthimi i mbrëmshëm dhe se e dënon këtë sulm, i cili siç thekson ai, minon ligjin dhe rregullin dhe është kundër procesit demokratik në Kosovë.

Po të dielën, reagoi edhe kryeministri Bajram Rexhepi dhe qeveria e Kosovës, e cila e dënoi ashpër sulmin ndaj ministrit Çeku dhe theksoi se një veprim i tillë kriminal paraqet sulm kundër institucioneve të Kosovës dhe bie ndesh me proceset demokratike në Kosovë, përfshi të drejtat elementare të njeriut.

Qeveria kërkoi që veprime të tilla të ndriçohen sa më shpejt dhe u bëri thirrje qytetarëve që të ndihmojnë organet hetimore në ndriçimin e këtij rasti.

Qeveria e zotit Rexhepi u kujtoi qytetarëve të Kosovës se liria e lëvizjes dhe siguria për të gjithë në Kosovë është një nga kushtet që duhet të plotësojë Kosova para se të diskutohet statusi përfundimtar i saj nga mesi i vitit 2005.

Ndërkohë po të dielën reaguan edhe Trupat Mbrojtëse të Kosovës, të cilat konfirmuan se gjatë sulmit të mbrëmshëm, u plagosën edhe dy anëtarë të TMK-së, të cilët ishin në detyrë në personelin e repartit të gatishmërisë.

Ndërkohë, policia ndërkombëtare, në një njoftim publik, tha sot se katër prej të plagosurve kishin marrë plagë të lehta ndërsa i pesti kishte dëmtime më të rënda në këmbë, të cilat megjithatë nuk janë kërcënuese për jetën. Policia tha se ende nuk dihet sasia dhe lloji i eksplozivit të përdorur dhe as motivi i sulmit.//kk//

XS
SM
MD
LG