Lidhje

A do ta udhëheqë Bashkimin Evropian, “Treshja e madhe”? - 2004-02-22


Udhëheqës nga Gjermania, Franca dhe Britania e Madhe kanë filluar të shuajnë mosmarrëveshjet e tyre të vitit të kaluar mbi Irakun, në një përpjekje për t’i dhënë një shtytje ekonomisë evropiane.

Por një takim i nivelit të lartë i përfaqësuesve të këtyre vendeve javën e kaluar në Berlin ka bërë që anëtarët e tjerë të Bashkimit Evropian të ndihen të braktisur.

Në të kaluarën, Franca dhe Gjermania ishin motori i Bashkimit Evropian. Nëse këto dy shtete pajtoheshin për ndonjë çështje, zakonisht vendet e tjera anëtare e mbështesnin vendimin e tyre. Mirëpo tani që dhjetë anëtarë të rinj, shumica me lidhje të ngushta me Shtetet e Bashkuara, do të anëtarësohen në Bashkimin Evropian më 1 maj, kjo do të ndryshojë.

Analisti Steven Everts nga qendra për reforma evropianë me seli në Londër thotë se lidhja franko-gjermane nuk është më aq e fortë sa më parë dhe për këtë arsye presidenti francez Jacques Chirac dhe kancelari Gjerman Gerhard Schroeder ftuan kryeministrin Tony Blair që të vendosnin rreth rendit të ditës së Bashkimit Evropian.

“Chiraku edhe Schroeder e kanë të qartë se mënyra e vjetër e udhëheqjes së Bashkimit nuk do të jetë më e mundshme, sepse së shpejti do të kemi 10 anëtare të reja shumë pro-amerikane. Por edhe mes 15 anëtarëve të tanishme pretendimi udhëheqës franko-gjerman është shumë vështirë për t’u pranuar.”

Zoti Everts thotë se dështimi i Bashkimit për të miratuar një kushtetutë tregon se sa e vështirë do të jetë marrja e vendimeve pas anëtarësimit të 10 vendeve të tjera.

Por a do të mund të udhëheqë Bashkimin ”Treshja e Madhe” dhe a do të pranojnë vendet e tjera rekomandimet e tyre?

Ministri italian për çështje evropiane, Rocco Botiglione duke shprehur pakënaqësinë e qeverisë së tij që nuk u ftua në këtë takim, tha se Treshja e Madhe nuk e përfaqëson dhe nuk mund ta përfaqësojë Bashkimin Evropian.

“Italia ka një ekonomi po aq të madhe sa Britania dhe Franca. Ne i paguajmë bashkimit më shumë se Britania. Ne jemi një partner më i përshtatshëm ekonomik për lindjen se sa të paktën njëri ose dy vendet, që morën pjesë në takimin e Berlinit.”

Profesori gjerman në Universitetin e Potsdamit, Manfred Goertmaker thotë se ka çështje institucionale dhe ekonomike të cilat duhet të zgjidhen dhe treshja e madhe po mundohet të bëjë pikërisht këtë.

“Këto tri vende të fuqishme luajnë rolin kryesor në evropë. Italia, Spanja dhe anëtarët e tjerë janë të rëndësishëm por nëse tri vendet e fuqishme harmonizojnë politikat e tyre, kjo do të ketë ndikim të madh tek anëtaret e tjera të Bashkimit.”

Të njëjtin mendim shpreh edhe redaktori i gazetës Financial Times, Philip Stevens.

“Ekziston mendimi se këto tri vende pajtohen në gjithçka dhe kjo nuk është e vërtetë. Shembulli më i mirë është mospajtimi rreth ndërhyrjes në Irak, politikat e jashtme ndaj Shteteve të Bashkuara si dhe çështje të brendshme si financimi i bugjetit të BE-së dhe reforma bujqësore.”

Te tre udhëheqësit bënë thirrje për emërimin e një komisioneri të lartë, i cili do të mbikqyrte zbatimin e reformave në vendet anëtare. Por Frederick Kempe, kritik amerikan dhe redaktor i gazetës Wall Street Journal, është skeptik rreth arritjeve të takimit tre-palësh të Berlinit.

“Ndërmjet evropianëve ekziston akoma ndjenj se mund të mbash një takim dhe se kjo do ti përmirësojë gjërat, apo të shkruash një letër dhe kjo do të krijojë vende të reja pune. Problemi kryesor është se objektivat e takimit të Lisbonës nuk janë arritur dhe se Bashkimi Evropian nuk është as afër asaj që dëshiron të arrijë deri në vitin 2010.”

Zoti Kempe thotë se problemi më i madh i Evropës është kundërshtimi në shumicën e vendeve për të ndryshuar ligjet e punës, për të liberalizuar tregjet, për të shkurajuar daljen e hershme në pension dhe për t’u dhënë fund pengesave për të hapur biznese të reja.//kk//

XS
SM
MD
LG