Lidhje

Presidenti Bush - Senatori Keri: ndryshime në qendrimet ndaj politikës së jashtme - 2004-02-25


Para disa javësh, senatori Xhon Keri i shtetit Masaçusets arriti të veçohet nga konkurentët e tjerë duke dalë si kandidati kryesor i partisë demokrate për president. Tani që senatori Keri gëzon epërsi mbi kandidatët e tjerë, ai shpreson të sfidojë presidentin Bush në zgjedhjet presidenciale të nëntorit.

”Jemi mbledhur këtu për të shënuar fillimin e fundit të administratës së presidentit Bush”, tha Senatori Xhon Keri nga shteti Masaçusets gjatë fushatës elektorale. Idetë e tij me sa duket kanë gjetur përkrahje në shumë demokratë, ndërkohë që ai vazhdon të kryesojë mes rivalëve demokratë. Ashtu si presidenti Bush, senatori Keri rrjedh nga një familje e pasur. I ati ka punuar në shërbime diplomatike dhe familja ka lëvizur shpesh. Ai ka ndjekur shkolla dhe universitete private në pjesën veri-lindore të Shteteve të Bashkuara dhe u diplomua si jurist në Masaçusets.

Ky politikan 60-vjeçar ka qenë senator prej afro 20 vjetësh dhe është anëtar i Komisionit të Senatit për Marrëdhënie me Jashtë. Gjatë fushatës së tij, Xhon Keri ka kritikuar politikën e jashtme të presidentit Bush, duke e cilësuar atë si një udhëheqës që ka izoluar Shtetet e Bashkuara: ”Ta themi hapur, Xhorxh Bushi ka zhvilluar politikën e jashtme më arrogante, më të paaftë dhe më ideologjike në historinë moderne të vendit tonë”.

Presidenti Bush thotë se do të bëjë ç’është e mundur për të mbrojtur Shtetet e Bashkuara nga terroristët dhe se nuk ka nevojë për leje nga vendet e tjera për të mbrojtur sigurinë kombëtare. David Mark, redaktor i revistës Fushatat dhe Zgjedhjet, thotë se vendimet e presidentit, si ai për të luftën në Irakut, e kanë dëmtuar atë në arenën ndërkombëtare: ”Ai ka krijuar ftohje me Francën, Gjermaninë, si dhe vende të tjera evropiane. Por zoti Keri do të ishte më popullor në vende të tjera, qoftë edhe për faktin se synon të angazhojë më shumë vende në veprimet ushtarake. Ai beson shumë më tepër në Kombet e Bashkuara sesa presidenti Bush”.

Çarls Kupçan është profesor i marrëdhënieve ndërkombëtare në Universitetin Xhorxhtaun në Uashington. Ai mendon se lufta kundër terrorizmit do të jetë tema kryesore në fushatën zgjedhore: ”Mendoj se mesazhi kryesor në fushatën zgjedhore të zotit Keri do të jetë që terrorizmi mbetet kërcënimi kryesor, por nuk duhet të lejojmë që ky kërcënim të na dëmtojë. Ne jemi angazhuar aq shumë në luftën kundër terrorizmit, saqë kemi krijuar divergjenca me vendet e tjera. Presidenti Bush do të përpiqet të theksojë se Xhon Keri është i dobët. Nëse presim që të tjerët të na japin leje, sigurimi ynë do të rrezikohet”.

Zoti Keri është veteran i Luftës në Vietnam. Ai fitoi medalje për guximin që tregoi, por tërhoqi vëmendjen e vendit si organizator i protestave kundër luftës. Presidenti Bush ka shërbyer në radhët e Gardës Kombëtare, por nuk ka marrë kurrë pjesë në luftime. David Mark thotë se megjithëse zoti Keri ishte kundër luftës dhe konflikteve në Gjirin Persik, ai votoi për fillimin e luftës në Irak: ”Ai tha se kjo ishte mënyra e vetme për të angazhuar Kombet e Bashkuara, në mënyrë që të zbatohen rezolutat e kësaj organizate. Ndërkaq, shumica e njerëzve e panë këtë si një rezolutë që i jepte mundësi Presidentit Bush të fillonte luftën kundër Irakut. Keri dëshiron të angazhojë një numër vendesh të tjera për të ndihmuar në rindërtimin e Irakut. Ai donte që vende të tjera të angazhoheshin në luftimet në Irak, ndërsa Presidenti Bush, mesa duket, nuk do t’ia dijë se çfarë mendojnë njerëz në vende të tjera”.

Zoti Mark thotë se një tjetër çështje që mund të ngrihet gjatë fushatës, është konflikti izraelito-palestinez: ”Presidenti Bush ka mbështetur planin ndërkombëtar për paqe në Lindjen e Mesme, por në fakt nuk ka shpenzuar shumë kohë ose energji politike në suksesin e tij. Kur gjendja vështirësohet, siç ndodh gjithmonë, nëse kryhen sulme vetvrasëse, ose ndodh diçka tjetër tragjike, duket se ai tërhiqet dhe thotë “palët e përfshira në konflikt e kanë vetë në dorë të negociojnë me njëra-tjetrën.” Zoti Keri mbështet një zgjidhje më të qëndrueshme dhe afatgjatë për këtë çështje. Ai do të dërgonte një negociator, i cili do të qëndronte në Lindjen e Mesme thuajse gjatë gjithë kohës, në përpjekje për të sjellë rezultate në negociatat për paqe”.

Çarls Kupçan thotë se presidenti Bush dhe senatori Keri kanë pikëpamje të ngjashme mbi një numër çështjesh të politikës së jashtme përfshirë tregtinë e lirë në mes Kanadasë, Meksikës dhe Shteteve të Bashkuara, si dhe zhvillimet në Afrikë. ”Dallimi ndërmjet demokratëve dhe republikanëve, veçanërisht lidhur me çështjet e zhvillimit në Afrikë është ngushtuar. Por pas 11 shtatorit, zhvillimi në Afrikë u ngrit ndër përparësitë e politikës së jashtme, si rrjedhojë e pikëpamjes së tij se vende në vështirësi, të cilat janë në prag të falimentimit si rrjedhojë e korrupsionit ose epidemive janë të rëndësishme për Amerikën, pasi ato mund të shndërrohen në strehë për terroristët”.

Senatori Keri duhet të bindë jo vetëm votuesit amerikanë, por edhe Partinë Demokrate për vizionin e tij të një politike të jashtme amerikane më ndërkombëtare. Aktualisht, ai ende nuk ka siguruar një numër të mjaftueshëm delegatësh për të marrë emërimin e Partisë së tij. //az//

XS
SM
MD
LG