Lidhje

Plaçkitjet dhe vrasjet hakmarrëse kanë përfshirë kryeqytetin e Haitit, Porto Prins - 2004-02-28


Anarkia ka përfshirë kryeqytetin e Haitit, Porto Prins, me plaçkitje dhe vrasje hakmarrëse. Ndërkohë kryengritësit kërcënuan të marrin nën kontroll kryeqytetin dhe presidenti Zhan-Bertrand Aristid refuzoi përsëri të jepte dorëheqje.

Gjendja në Porto Prins doli jashtë kontrollit, ndërsa bandat e forcave të armatosura besike të presidentit Aristid qarkullonin nëpër kryeqytet, duke kërcënuar të digjnin shtëpitë e kundërshtarëve të tij.

Ambasada amerikane në Porto Prins i bëri thirrje presidentit Aristid si dhe kryengritësve që të ndalin dhunën. Po dje, Presidenti Bush tha se administrata e tij po vazhdon përpjekjet për arritjen e një zgjidhjeje politike në Haiti, por ai nuk i kërkoi drejtë për drejtë zotit Aristid që të jepte dorëheqjen.

Presidenti Aristid i tha dje rrjetit televiziv CNN se si president i zgjedhur i Haitit detyra e tij është të qëndrojë në pushtet për të mbrojtur popullin haitian.

Ndërkohë, Komisioneri i lartë i Kombeve të Bashkaura për refugjatët u bëri thirrje vendeve fqinje të Haitit që të pranojnë haitianët, që ikin nga vendi i tyre për t’i shpëtuar dhunës.

Në një deklaratë, agjencia e OKB-së tha se pret që vendet e rajonit të respektojnë Konventën e Refugjatëve të vitit 1951, e cila u jep refugjatëve të drejtën e mbrojtjes ndërkombëtare.

Republika Domenikane, Kuba dhe Xhamaika kanë pranuar rreth 400 persona, që kërkonin strehim politik, ndërkohë që Shtetet e Bashkuara kanë shkurajuar haitianët që të mos vijnë në Amerikë, duke thënë se ata do të kthehen mbrapsht.

Roja Bregdetare amerikane ka kthyer këtë javë 531 haitianë. Zëdhënësi i departamentit amerikan të shtetit Richard Boucher tha se riatdhesimi i haitianëve u bë në përputhje me politikkën e jashtme amerikane për të kthyer imigrantë të tillë, me përjashtim të atyre që mund të provojnë se po të kthehen do të persekutoheshin.

Grupet për mbrojtjen e refugjatëve dhe disa anëtarë të kongresit thanë se qeveria amerikane nuk duhet të kthejë imigrantët në Haiti në një kohë kur e ka cilësuar atë vend të rrezikshëm për personelin jo-emergjent të ambasadës amerikane.

//ze//

XS
SM
MD
LG