Lidhje

Shqipëria në udhëkryq - 2004-02-28


Në vjeshtë të vitit 1997, Kryeministri Fatos Nano premtoi se do të sillte në Shqipëri skeletin e anijes Katër i Radës që u mbyt në kanalin e Otrantos, duke shkaktuar vdekjen e 83 personave, mes së cilëve shumë gra dhe fëmijë. Zoti Nano tha se pamja e karkasës do t’i nxiste shqiptarët të rrinin dhe punonin në vendin e tyre dhe jo të merrnin arratinë.

Në muajin janar një udhëtim tjetër në detin Jon, përfundoi në tragjedi. 21 persona vdiqën, kur një gomone nuk i rezistoi dot një stuhie të fuqishme. Të dyja rastet, ishin përpjekje për t’i shpëtuar varfërisë dhe për të siguruar një jetë më të mirë në Itali dhe vende të tjera perëndimore. Shumë prej viktimave u kishin paguar rreth 2 mijë euro, aq sa rroga e një viti pune, organizatorëve të trafikut të klandestinëve.

Po pse kaq shumë njerëz duan të ikin nga Shqipëria? Ja ç’thotë Janush Bugajski, analist i çështjeve të Ballkanit në Qendrën për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare në Washington: “Në raste të tilla, duhet të gjesh rrënjët e problemit, arsyet dhe pasojat që i shtyjnë njerëzit të ikin. Arsyet janë zhgënjimi, mungesa e mundësive ekonomike, e mundësive shoqërore, dëshpërimi i rinisë, korrupsioni dhe krimi i organizuar. Këto janë arsyet që duhen analizuar. Njerëzit duan të ikin nga vendi sepse bëhen viktima të një gjendjeje të tmerrshme që ata nuk e zgjidhin dot”, thotë ai.

Dekadën e kaluar rreth 600 mijë shqiptarë, afro çereku i popullsisë së vendit kanë emigruar. Sipas një sondazhi të kryer në vitin 2002 nga Qendra Shqiptare për Studime Shoqërore dhe Ekonomike, pothuajse 50 për qind e stafit të universiteteve dhe institucioneve kërkimore kanë lënë vendin.

Partia Demokratike menjëherë fajësoi qeverinë për tragjedinë e fundit dhe në përgjithësi për ikjen e shqiptarëve, duke thënë se ajo nuk ka krijuar kushtet që ata të jetojnë e punojnë në vendin e tyre. Kryeministri Nano ishte në Turqi ditën kur u mbytën 21 shqiptarët dhe fakti që nuk u kthye menjëherë në Tiranë, ngjalli kritika të ashpra, sipas së cilave ai është i pandjeshëm ndaj vuajtjeve të shtetasve të vendit të tij.

Që më 9 janar, Partia Demokratike e udhëhequr nga Sali Berisha ka mbajtur protesta. Më e fundit ishte ajo e 21 shkurtit në Tiranë, ku morën pjesë rreth 20 mijë vetë. Ndërsa më 7 shkurt, simpatizantët e kësaj partie, u përpoqën të hyjnë në kryeministri.

Lufta politike mes Partisë Socialiste në pushtet dhe Partisë Demokratike, i ka rrënjët në fillim të viteve 1990, pas rënies së regjimit komunist. “Ky konflikt partiak që mbizotëron në vend që prej 10 vjetësh, ëshë një çmim që Shqipëria nuk mund të vazhdojë ta paguajë më. Pasojat e tij negative, janë shkatërruese për vendin dhe popullin e tij”, thotë Nikolla Pano, profesor historie në Universitetin Perëndimor në Ilinoi.

Profesor Pano shton se trazirat politike po pengojnë përparimin e vendit. Në fakt mosmarrëveshjet politike janë kthyer në një telenovelë, me kthesat e tyre të paparashikueshme dhe intrigat që i karakterizojnë.

Gjithçka përqendrohet tek rivaliteti mes Fatos Nanos dhe Sali Berishës, që nga fillimi i viteve 1990. Ngjarjet e viteve 1997, 1998 sollën një frenim të zhvillimit. Edhe problemet në vetë kampin socialist, akzuat e ndërsjellta mes Kryeministrit Nano dhe ish-kryeministrit Meta e kanë acaruar gjendjen. Gjatë gjashtë viteve të fundit, qeveria ka ndryshuar gjashtë herë. Tani zoti Berisha po kërkon dorëheqjen e zotit Nano.

Zoti Bugajski thotë se të gjitha qeveritë e Shqipërisë, në dekadën e fundit kanë qenë të interesuara vetëm të ruajnë pushtetin. “Mua më duket se të gjitha qeveritë shqiptare bëjnë aq përpjekje sa t’u duhet për të ruajtur pushtetin, por jo aq sa për të çuar shoqërinë dhe ekonominë përpara. Kështu, qoftë tek socialistët, qoftë tek demokratët, fatkeqësisht nuk kam parë angazhim të mjaftueshëm për ta çuar vendin përpara, dhe jo vetëm interesat e tyre”, thotë ai.

Dhe ashtu siç vazhdon lufta politike, vazhdon edhe varfëria. Papunësia është e lartë dhe krimi i organizuar shumë i përhapur. Instituti i Statistikave thotë se papunësia është 18 për qind, por disa vëzhgues ndërkombëtarë thonë se mund të arrijë deri në 40 për qind.

Ilir Gedeshi, Drejtor i Qendrës për Studime Sociale dhe Ekonomike thotë se varfëria nuk është e vetmja arsye për emigrimin e lartë, veçanërisht të të rinjve. “Kjo shprehet edhe nga pikëpamja psikologjike në mungesën e perspektivës që ata shohin në vendin e tyre dhe kjo duhet parë pastaj me kujdes, që atyre t’u jepet një shpresë që perspektivën ta shohin në vendlindje dhe jo në vende të tjera të perëndimit”.

Edhe apatia politike në vend është në rritje. Në zgjedhjet e fundit në tetor, vetëm gjysma e qytetarëve me të drejtë vote, shkuan në kutitë e votimit.

Por megjithëse situata është shumë e vështirë, disa analistë shpresojnë në të ardhmen e Shqipërisë, sidomos tek rinia. Edmond Dragoti, Drejtor i Institutit të Studimeve për Opinionin Publik shpreson që të rinjtë të bëhen një faktor politik, ekonomik dhe shoqëror në vend. “Kjo ndoshta do të ishte një nga shpresat e vendit, për të siguruar një zhvillim më të suksesshëm në të ardhmen”, thotë ai, duke përmendur si shembull lëvizjen “Mjaft”.

Edhe Profesor Nikolla Pano thotë se kyçi i përparimit afatgjatë demokratik të vendit, është në dorën e rinisë. Ai shton se intelektualët gjithashtu duhet të bëhen më aktivë në jetën politike dhe në organizatat joqeveritare.

Edhe ekonomia po tregon disa shenja rimëkëmbjeje. Vitin e kaluar Prodhimi i Brendshëm Bruto u rrit me afro 1.5 për qind në krahasim me vitin e mëparshëm. Po ashtu disa kompani të huaja po investojnë në vend dhe disa sektorë strategjikë janë privatizuar.

Por në fund të fundit, shumë analistë thonë se do të jenë vetë shqiptarët ata që do të vendosin për të ardhmen politike të udhëheqësve të tyre dhe të vendit.

XS
SM
MD
LG