Lidhje

Kandidatët demokratë, fushatë intensive para zgjedhjeve të së martës - 2004-02-29


Kandidatët demokratë për president po bëjnë fushatë intensive në gjithë Shtetet e Bashkuara duke shpresuar të arrijnë fitore të martën në shtete lindore dhe perëndimore të pasura me kandidatë dhe në një shtet qendror, ku mund të zhvillohet një garë e fortë. Të ashtuquajturat zgjedhje paraprake të super të martës në 10 shtete janë kritike për dy kandidatët kryesorë.

Senatori i shtetit Masaçusets John Kerry është pa dyshim kandidati kryesor në garën për t’u emëruar demokrati që do të sfidojë Presidentin Bush në nëntor. Të gjithë rivalët e tij, përveç njërit, kanë mbetur në hije, ndërsa zoti Kerry ka siguruar një sërë fitoresh në garat paraprake demokrate nga New Hampshëri deri në Hawaii. Deri tani, Senatori ka siguruar 744 nga 2062 delegatët që i duhen për të fituar emërimin.

Në fushatën e tij në New York, shtet që do të dërgojë 236 kandidatë në kuvendin kombëtar të partisë në korrik, Senatori Kerry tha se me zgjedhjen e tij, votuesit do të ishin të sigurt se George Bushi nuk do të fitonte një mandat të dytë presidencial. “Ne jemi këtu sot për të shënuar fillimin e fundit të presidencës së zotit Bush. Ky është qëllimi i garës sonë. Unë kërkoj ndihmën tuaj në qytetin e New Yorkut”.

Por, Senatori John Edwards i Karolinës së Veriut thotë se gara nuk ka mbaruar. Ai thotë se shanset e tij për të mundur Presidentin Bush në nëntor janë më të shumta. Zoti Edwards e ka përqendruar fushatën tek humbja e vendeve të punës dhe transferimi i tyre në vende të tjera dhe tek marrëveshjet amerikane për tregëtinë, të cilat ai i mban përgjegjëse për humbjet. Ai tha në një takim në New York. “Shqetësimi ynë është se kemi një president për të cilin papunësia është vetëm një numër në një copë letër. Nëse merresh vetëm me statistikat nuk do të ketë kurrë ndikimin e duhur. Gjërat ndryshojnë nëse e merr personalisht dhe unë këtë e marr personalisht”, tha ai.

Simpatizantët e senatorit Edwards thonë se kandidati i tyre mund të fitojë në jug në nëntor dhe të tërheqë grupe të rëndësishme demografike, si të moderuar dhe të pavarur, në shtetet e pavendosura, të cilat asnjë parti nuk mund të pretendojë se i ka me vete.

Fred Siegel, një analist në Universitetin Cooper Union në New York, thotë se vota e New Yorkut është e rëndësishme këtë vit sepse mund të ketë një mundësi të vogël që zoti Edwards të fitojë, duke bërë fushatë në disa zona ku popullsia ka lëvizur dhe shumë kompani kanë shkurtuar shumë vende pune.

Por, këtë strategji të zotit Edwards mund ta minojë fakti që shumica e votuesve në zgjedhjet paraprake të shtetit New York jetojnë brenda ose përreth qytetit New York, ku zoti Kerry ka mbështetjen më të madhe.

Analisti Siegel thotë se për të mbetur në garë, senatori Edwards duhet të fitojë të paktën 40 për qind të votave në New York dhe të fitojë në shtetin qendror të Ohajos, ku pritet që në nëntor të bëhet një nga garat më të ashpra. Në vitin 2000, Presidenti Bush fitoi me një diferencë fare të vogël votash në Ohajo, ku humbja e vendeve të punës në prodhim e ka dëmtuar rëndë fuqinë punëtore.//kk//

XS
SM
MD
LG