Lidhje

Demokratët dhe republikanët, përsëri debate mbi nxjerrjen e emrit të punonjëses së CIA-s - 2004-02-29


Demokratët dhe republikanët kanë shkëmbyer akuza të tjera të rënda lidhur me hetimet se kush i tregoi një gazetari vitin e kaluar identitetin e një oficereje sekrete të CIA-s.

Demokratët u përpoqën për miratimin e një rezolute të veçantë hetimore, që do t’i kërkonte administratës së presidentit Bush të paraqiste të gjitha dokumentat që kanë lidhje me punonjësen e CIA-s, Valerie Plame.

Që kur administrata e presidentit Bush njoftoi, pasi iu bë presion, se po fillonte hetimet rreth zbulimit të identitetit të zonjës Plame për një komentator të njohur të një gazete dhe gazetarë të tjerë, demokratët kanë kërkuar një fillimin e një procesi të pavarur hetimor.

Në Dhomën e Përfaqësusve, demokratët kritikuan një hetim të Departamentit të Drejtësisë, duke thënë se në ai proces hetimort nuk mund t’i shpëtonte ndërhyrjes nga Shtëpisë së Bardhë.

Më vonë, Prokurori i Përgjithshëm, John Ashcroft, u tëroq nga hetimi i departamentit të drejtësisë dhe emëroi avokatin, Patrick Fitzgerald, që të kryesonte procesin hetimor, i cili tani ka marrë përmasat e një hetimi nga një juri e madhe federale.

Sipas një kërkese të mbështetur nga demokratët, administratës së presidentit Bush i kërkohet të japë të gjithë informacionin që kanë lidhje me zbulimin e identitetit të zonjës Plame.

Javën e kaluar, rezoluta po shqyrtohej nga 3 komisione të Dhomës së Përfaqësuesve, komisioni juridik, ai për marrëdhëniet ndërkombëtare dhe nga komisioni i shërbimeve të armatosura.

Por me që republikanët i kanë nën kontroll këto komisione, ata arritën të bllokonin përpjekjet e demokratëve për t’ia paraqitur rezolutën të gjithë anëtarëve të Dhomës së Përfaqësusve me një rekomandim të favorshëm, duke e bërë të pamundur miratimin e saj.

Kryetari i komisionit juridik, James Sensenbrenner, shprehu pikëpamjen republikane se miratimi i rezolutës do të përbënte ndërhyrje në hetimin, që ka filluar Departamenti i Drejtësisë.

“Procesi hetimor po vazhdon me shpejtësi dhe komisioni nuk ka marrë pohime të besueshme se zoti Fitzgerald ose juria e madhe po devijojnë në ndonjë mënyra nga detyrat e tyre.”

Përgjigja më e ashpër nga ana e demokratëve u dha nga deputeti, Jerrold Nadler.

“Zoti kryetar, ne kemi çdo prova se gjërat po mbulohen. Dikush në nivelet e larta të administratës së presidentit Bush zbuloi me qëllim identitetin e një operativeje të CIA-s. Nëse presidenti me të vërtetë donte të gjente se kush ishte ky zyrtar, atij nuk do t’i duheshin më shumë se 5 minuta.”

Republikanët përgjigjen duke vënë në dukje se avokatit Fitzgerald i është dhënë një elasticitet i madh për të kryer detyrat e tij, madje republikanët kundërshtojnë akuzat se avokati do të ndikohet nga interesat politike. Ja si u shpreh anëtari republikan i kongresit, Henry Hide.

“Mund të them me siguri se nuk ka fare të ngjarë që avokati Fitzgerald të ndikohet nga interesat politike.”

Sidoqoftë, republikanët janë shumë të ndjeshëm në një vit zgjedhjesh ndaj çdo sugjerimi se ata po përpiqen të pengojnë në një farë mënyrë çdo hetim që ka të bëjë me CIA-n dhe sigurimin kombëtar.

Zonja Plame është gruaja e ish ambasadorit amerikan, Joseph Wilson, një prej atyre që kritikuan administratn e presidentit Bush lidhur me justifikimet për ndërhyrjen ushtarake në Irak, pasi nuk u gjetën prova se Iraku ishte përpjekur të blentë uranium në Afrikë.

Anëtarë të personelit ndihmës të Kongresit thonë se shumica e republikanëve janë të vendosur të mos lejojnë që kjo çështje të përdoret më shumë nga demokratët në këtë vit zgjedhjesh kundër presidentit Bush.

Sidoqoftë, me që një numër zyrtarësh dhe ndihmësish të administratës, përfshirë edhe një ndihmës të nën-presidentit Dick Cheney, janë intervistuar tashmë ose po japin dëshmi, dhe ish analistë të CIA-s kërkojnë një hetim të veçantë, demokratët do të kenë mjaft material për ta mbajtur gjallë këtë çështje gjatë muajve të ardhshëm. //kk//

XS
SM
MD
LG