Lidhje

SHBA: zgjedhjet dhe politika e jashtëme - 2004-03-01


Fushata për zgjedhjet presidenciale të këtij viti po zhvillohet ndërkohë që vazhdon lufta kundër terrorizmit në Irak dhe në Afganistan. Analistët thonë se politika e jashtme do të luajë një rol qendror në garën presidenciale. Korrespondentja Serena Parker njofton lidhur me rolin e politikës së jashtme amerikane në zgjedhjet kombëtare dhe çështjet që ka të ngjarë të ngrihen në fushatën e këtij viti.

Në një veprimtari të kohëve të fundit, që u organizua nga Këshilli për Marrëdhëniet e Jashtme këtu në Washington, u ngrit pyetja: Sa e rëndësishme është politika e jashtme në garën presidenciale të këtij viti? Ajo është shumë e rëndësishme, thotë Jeff Greenfield, analist i njohur politik në rrjetin televiziv CNN.

Zoti Greenfield thotë se amerikanët janë të shqetësuar rreth kërcënimeve ndaj sigurisë së tyre. Mënyra se si Amerika reagon ndaj këtyre kërcënimeve mund të ndahet në dy kampe: izolacionistë dhe ndërhyrës. Jeff Greenfield thotë se të dyja këto prirje janë përsëritur gjatë histoirisë amerikane.

“Janë dy prirje në mendimin amerikan rreth pjesës tjetër të botës, që shfaqen herë pas here. Njëra është se ne nuk duam të kemi të bëjmë shumë me pjesën tjetër të botës. Shtetet e Bashkuara u krijuan si opozitë e Evropës. Prirja tjetër është se Amerika është një fanar ndriçues për botën dhe se ne kemi përgjegjësinë që t’i tregojmë pjesës tjetër të botës domethënien e lirisë.”

Gjatë Luftës së Ftohtë, shumica e amerikanëve kërkonin që presidenti i tyre të mbante një qëndrim të ashpër ndaj komunizmit. Mark Halperini, drejtor i departamentit që merret me çështjet politike në rrjetin televiziv ABC, thotë se shumica e amerikanëve mendonin se Partia Republikane ishte më e përshtatshme për të përballuar këtë sfidë.

“Kjo është një çështje e rëndësishme. Kjo është një prej cilësive të presidencës, një prej përgjegjësive të presidencës dhe gjatë Luftës së Ftohtë ky ishte një avantazh i madh për republikanët në politikë. Mendoj se gjendja e tanishme përbën një avantazh të madh për republikanët. Tani mund të bëjmë pyetjen: A është ky një avantazh automatik për George Bushin, që ai do ta shfrytëzojë në zgjedhjet e këtij vit.”

Sipas Mark Halperinit, republikanët kanë përsëri një avantazh sepse sulmet terroriste të 11 shtatorit 2001 krijuan një formë të re të atmosferës së Luftës së Ftohtë në politikat amerikane. Ai thotë se gjatë fushatës, Presidenti Bush duhet t’u kujtojë votusve mënyrën sesi ai udhëhoqi pas sulmeve të 11 shtatorit.

Analisti thotë se kandidatit demokrat do t’i duhet të përpiqet të mposhtë avantazhin e presidentit republikan, gjë që është një sfidë tepër e vështirë. Ai thekson se presidenti i fundit demokrat, Bill Clinton, arriti të fitonte sepse Lufta e Ftohtë kishte përfunduar dhe amerikanët ishin më shumë të shqetësuar rreth çështjeve të brëndshme si arsimi dhe vendet e punës.

Sipas analistit të CNN-it, Jeff Greenfield, Bill Clintoni bëri edhe diçka tjetër që e ndihmoi atë të fitonte. Zoti Clinton mbajti një qëndrim më të ashpër rreth një numër çështjesh të politikës së jashtme sesa kundërshtari i tij. Jeff Greenfieldi thotë se edhe senatori John Kerry duhet të shqyrtojë me kujdes dështimet e presidentit Bush në politikën e jashtme dhe t’i vëjë ato në dukje.

Clifford May, president i fondacionit për mbrojtjen e demokracive, thotë se votimi i senatorit Kerry në senat gjatë luftës së ftohtë, luftës së parë në Gjirin Persik si dhe para dhe pas sulmeve terroriste të 11 shtatorit 2001, mund të përdoren për të treguar se ai është i dobët në çështjet e sigurimit kombëtar. Megjithatë, zoti May pranon se shërbimi i senatorit Kerry në Vietnam do ta ndihmojë atë në këtë garë.

“John Kerry veshi uniformën e ushtrisë amerikane. Ai shkoi në Vietnam. Kjo mund të tregojë se ai di si të tregohet i ashpër dhe se nuk është i njohur me çështje ushtarake. Për kjo nuk e mjaftueshme. Unë do të doja të dija sesi ka votuar ai në Kongres, gjë që nuk mendoj se është pozitive për të. Megjithatë, kjo varet nga fakti sesa shumë do ta njohin votuesit John Kerrin. Mendoj se atë e ndihmon fakti që ishte në shërbim ushtarak dhe u nderua me medalje.”

Debati lidhur me ndërhyrjen amerikane në Irak po i jep formë procesit të emërimit të kandidatit të Partisë Demokrate dhe ka të ngjarë të luajë një rol të rëndësishëm në fushatën presidenciale të këtij viti, ndërkohë që Partia Republikane mbron vendimin e presidentit Bush për të ndërhyrë në Irak dhe Partia Demokrate e kritikon atë.

Analistët politikë thonë se përpjekjet e udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara për të rindërtuar Irakun dhe Afganistanin si dhe suksesi apo dështimi i këtyre misioneve do të luajë një rol kryesor në fushatën e vitit 2004 për Shtëpinë e Bardhë.

XS
SM
MD
LG