Lidhje

Në Kinë vazhdojnë shkeljet e të drejtave të njeriut - 2004-03-02


Kina liroi nga burgu murgeshën budiste tibetiane Funcog Nihdurn. Ky është një lajm i mirë. Murgesha ka qenë e burgosur për afro 15 vjet dhe ishte një ndër të burgosurit politikë që po vuante dënimin më të gjatë në Kinë.

Për fat të keq, mijëra të tjerë mbahen ende në burgjet kineze për arsye politike apo fetare. Disa prej tyre u dënuan në bazë të një ligji të ashtu-quajtur “anti-revolucionarët,” i cili u shfuqizua në vitin 1997. Të tjerët janë në burg që në ditët e demonstratave në Sheshin Tianenmen në vitin 1989, ose për veprimtari demokratike apo protesta që në atë kohë.

Autoritetet kineze kanë bërë një numër arrestimesh të reja gjatë vitit të kaluar. Në nëntor, He Depu u dënua me tetë vjet burgim pasi kishte shkruar ese në internet si dhe kishte lidhje me Partinë Demokratike të Kinës. Siç u shpreh gruaja e tij Jia Jiangying, “Kjo është një e drejtë bazë e çdo shtetasi.”

Kina ka arrestuar veprimtarë për demokracinë, individë që kanë përdorur internetin për të bërë thirje për reforma, veprimtarë kundër virusit HIV dhe Sidës, punëtorë që protestonin, juristë që kanë mbrojtur disidentë si dhe persona të tjerë që janë përpjekur të shfrytëzojnë hapësirën e krijuar nga reformat e mëparshme. Për më tepër, shtypja e ashpër në Kinë kundër lëvizjes Falung Gong vazhdon dhe qeveria është përpjekur ta shfrytëzojë luftën kundër terrorizmit për të justifikuar fushatën e saj kundër myslimanëve Uighur.

Ndër shkelje të tjera të të drejtave të njeriut në Kinë përfshihen kufizime të rrepta ndaj lirisë së fjalës, shtypit, grumbullimit, organizimit dhe udhëtimit. Në disa rajone janë ndërprerë veprimtari fetare dhe udhëheqës të kishës janë burgosur. Politikat e detyrueshme për kufizimin e shtimit të popullsisë në Kinë kanë çuar disa herë në aborte apo sterilizime të detyruara, veçanërisht në zonat rurale.

Shkeljet e të drejtave të njeriut në Kinë po ndiqen me vëmendje nga diplomacia amerikane, tha Lorne Craner, Ndihmës-Sekretar i Shtetit për Demokracinë, të Drejtat e Njeriut dhe Çështjet e Punës:

“Ne vazhdojmë t’ia ngremë këtë çështje Kinës, por gjatë vitit të kaluar nuk kemi arritur sukses në dialog. Kjo ka ndodhur ndërkohë që vazhdojnë arrestimet,” tha zoti Craner.

Për këtë arsye, theksoi Ndihmës-Sekretari i Shtetit, Lorne Craner, Shtetet e Bashkuara po shqyrtojnë paraqitjen e një rezolutë mbi Kinën në Komisionin e Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut në Gjenevë. //ad//

XS
SM
MD
LG