Lidhje

Kryeministri i Shqipërisë Fatos Nano përfundon vizitën në Kosovë - 2004-03-02


Kryeministri i Shqipërisë Fatos Nano, përfundoi sonte vizitën e tij dy-ditore në Prishtinë, gjatë së cilës, u takua me zyrtarët më të lartë vendas dhe ndërkombëtarë, kryeadministratorin Harri Hollkeri, presidentin Ibrahim Rugova, kryeministrin Bajram Rexhepi, Kryetarin e Parlamentit Nexhat Daci, dhe kryetarët e dy partive më të mëdha politike shqiptare, Hashim Thaçi dhe Ramush Haradinaj.

Pas takimit me kryeministrin Bajram Rexhepi, kryeministri i Shqipërisë, Fatos Nano, tha se po krijohet tradita e shkëmbimit të përvojave demokratike.

Zoti Nano theksoi disa çështje, si bashkëpunimin rajonal dhe hapjen e tregjeve. Zoti Nano tha se ndjehej në Prishtinë po aq mirë sa në cdo kryeqytet tjetër dhe me çdo homolog tjetër të qeverive rajonale, apo më gjerë.

“Edhe dy kryeministra që flasin shqip, punojnë shumë mirë me njëri-tjetrin jo vetëm në dobi të popujve që përfaqësojnë, por në dëm të askujt tjetër”,-tha kryeministri Nano.

Kryeministri i Kosovës Bajram Rexhepi, vuri në dukje bashkëpunimin e ndërsjellë në ekonomi, infrastrukturë, energjitikë dhe në ndërtimin e rrugës Prishtinë-Durrës, e cila siç nënvizoi ai, do të krijojë mundësi për dalje të Kosovës në detin Adriatik. Zoti Rexhepi tha se ky bashkëpunim është shembull i bashkëpunimit të ngushtë në rajon.

Ndërkohë, presidenti i Kosovës Ibrahim Rugova dhe kryeministri i Shqipërisë Fatos Nano, u takuan sot për herë të parë zyrtarisht pas disa vitesh, gjatë vizitës që zoti Nano bëri në Prishtinë. Kryeministri Fatos Nano, e quajti takimin me presidentin Rugova kulminacion të vizitës së tij në Kosovë.

”Me presidentin Rugova, më vital se çdo herë tjetër dhe më funksionues në raport me simbolet e nderuara përfaqësuese të shqiptarëve të Kosovës që ka bartur në vitet e rezistencës dhe në vitet e afirmimit ndërkombëtar të Kosovës, sot biseduam programe bashkëpunimi, të cilat lidhin institucionet e Shqipërisë me të Kosovës me të njëjtët aleatë të mëdhenj ndërkombëtarë, në një axhendë zhvillimi dhe reformash që po na ofron për të na integruar në Evropën e Bashkuar, në NATO dhe në realitet moderne ku jeton edhe Ballkani ynë i ri”, - tha zoti Nano.

Kryeministri Nano dhe se: “Me çeljen e kohës dhe me shkrirjen e borës”, siç u shpreh ai, presidenti Rugova do të vizitojë Tiranën për të sjellë mesazh optimist edhe për shumë shqiptarë, që siç tha zoti Nano, e nderojnë dhe e respektojnë atë."

Zoti Rugova falenderoi Shqipërinë për ndihmën që i ka dhënë Kosovës gjatë luftës dhe më pas dhe tha se kishte biseduar me zotin Nano për zhvillimet në të gjitha fushat e jetës në Kosovë, përfshi integrimin e grupeve etnike në shoqërinë e Kosovës. Presidenti theksoi bashkëpunimin me UNMIK-un dhe përsëriti kërkesën për njohjen zyrtare të pavarësisë së Kosovës. Zoti Rugova vuri në dukje energjitikën, si një nga fushat më me interes për bashkëpunim midis Shqipërisë dhe Kosovës, ndërkohë që u shpreh se zoti Nano do të thellojë bashkëpunimin midis Shqipërisë dhe Kosovës. “Gjithsesi, zoti kryeministër do të bëjë një thellim të marrëdhënieve tona në të gjitha fushat e jetës dhe ta kryejmë më në fund autostradën Prishtinë-Durrës”, - tha presidenti Rugova.

Zoti Rugova tha gjithashtu se Shqipëria e ka njohur Republikën e Kosovës ndërsa sot punon që ta përkrahë në rrugën e aspiratave të saj ndërkohë që zoti Nano tha se çështja e njohjes së pavarësisë së Kosovës nuk ishte çështje “edhe aq formale”, siç u shpreh ai.// lk //

XS
SM
MD
LG