Lidhje

Presidenti Bush dhe fushata e zgjedhjeve - 2004-03-04


Presidenti Bush po bën komente për të kaluarën e senatorit demokrat të shtetit Masaçusets John Kerry, që pritet të jetë kundërshtari i tij në zgjedhjet e nëntorit. Presidenti Bush bëri fushatë në shtetin e Kalifornisë.

Presidenti Bush u tha përkrahësve të tij në Kaliforni se do të bëjë një fushatë kombëtare dhe nuk do t’i lejojë demokratët të fitojnë shtetin më të madh zgjedhor pa luftuar për të. “Së bashku me nënpresidentin, unë do të shpenzoj një kohë të konsiderueshme në Kaliforni. Me ndihmën tuaj, Kalifornia do të bëhet pjesë e fitores së përgjithshme në nëntor të këtij viti”, tha Presidenti.

Demokratët tradicionalisht fitojnë në Kaliforni, por me zgjedhjen e guvernatorit republikan Arnold Shvarceneger, Presidenti Bush thotë se votuesit e Kalifornisë treguan se asnjëra parti nuk mund të pretendojë se vota e Kalifornisë është e garantuar.

Të martën, Presidenti Bush telefonoi senatorin Kerry i cili mesa duket do të jetë kandidati demokrat për president dhe e uroi atë për fitoren në zgjedhjet paraprake brenda partisë. “I thashë se shpesoja që fushata të jetë e fortë. E urova për fitoren. Besoj se do të jetë një debat interesant për shumë çështje. Ai ka qenë në Kongres prej 2 dekadash. Dhe veprimtaria e tij ka qenë shumë e dendur. Në fakt senatori Kerry ka qenë në Washington për një kohë aq të gjatë, saqë ka arritur që pothuajse për çdo çështje të mbajë dy qëndrime të ndryshme”, tha ai.

Presidenti thotë se votuesit do ta kenë shumë të thjeshtë të zgjedhin në nëntor mes ruajtjes së shkurtimit të taksave, gjë që ai thotë se po ndihmon ekonominë, ose t’u kthejnë prapë amerikanëve mbi shpatulla barrën e taksave më të larta.

Krahas ekonomisë, lufta kundër terrorizmit është një çështje po aq e rëndësishme e fushatës së presidentit. Dhe ai thotë se e ka bërë më të sigurt vendin që nga sulmet terroriste të 11 shtatorit 2001. “Alternativa është: ose një Amerikë që udhëheq botën me forcë dhe besim, ose një Amerikë e pasigurt përballë rrezikut”.

Presidenti thotë se ka vënë re shumë zëmërim partiak nga ana e kundërshtarëve të tij demokratë dhe zemërimi shton ai nuk është në programin e së ardhmes së Amerikës.

Zoti Bush thotë se ka një vizion pozitiv për të fituar luftën kundër terrorizmit dhe për të krijuar vende të reja pune në Amerikë. Ai thotë se fushata nuk do të lërë vend për dyshime për qëndrimet e tij dhe u tha simpatizantëve se do ta fitojë mandatin e dytë.

Ky besim i tij pasqyrohet në reklamat e para televizive për fushatën Bush-Cheney që do të fillojë të transmetohet sot në mbi 10 shtete.

Në një nga reklamat, përmenden sfidat që i është dashur Presidentit të përballojë: nga ekonomia në rënie deri tek sulmet terroriste.

Në reklamë, presidenti Bush thotë se ai e ka fare të qartë se në ç’drejtim do ta udhëheqë vendin. Kjo reklamë e parë do t’i kushtojë fushatës rreth katër milionë dollarë. Kanë mbetur edhe 100 milion dollarë për t’u shpenzuar, para kuvendit të republikanëve në muajin gusht.

//rd//

XS
SM
MD
LG