Lidhje

Irak: kushtetuta e përkohshme mund të nënshkruhet të hënën - 2004-03-05


Këshilli Qeverisës i Irakut shfaqi shpresën për të nënshkruar kushtetutën e përkohshmwe të vendit të hënën, pasi ceremonia e djeshme e nënshkrimit u shty për shkak të kundërshtimeve në momentet e fundit nga pesë anëtarë shiit të Këshillit Qeverisës.

Këshilli Qeverisës lëshoi sot në mëngjes një deklaratë, në të cilën thuhej se këshilli shpreson të zgjidhë çështjet e mbetura nëpërmjet dialogut. Politikanët shiitë kundërshtuan dy klauzola, njëra kishte të bënte me përbërjen e presidencës së vendit dhe tjetra me të drejtat e vetos kundër një kushtetute të përhershme.

Këtu në Washington, zyrtarë të administratës së presidentit Bush i cilësuan mosmarrëveshjet dhe bisedimet për zgjidhjen e tyre si demokracia në funksionim. Ata thanë se me rëndësi është që anëtarët e Këshillit Qeverisës po i diskutojnë këto çështje.

Njëri prej negociatorëve kurdë në bisedime, Faud Masoum, foli me shërbimin kurd të Zërit të Amerikës. Ai tha se mendon që një prej arsyeve të shtyrjes së nënshkrimit të kushtetutës është se disa anëtarë të Këshillit Qeverisës mund të jenë ndjerë se nuk u ishte dhënë kohë e mjaftueshme për të shqyrtuar projekt-kushtetutën pas miratimit të saj të njëzëdhëm të hënën.

Ceremonia ishte planifikuar fillimisht për të merkurën, por u shty pas shpërthimeve vetëvrasëse të së martës në Bagdad dhe Qerbela, që shkaktuan vrasjen e mbi 170 besimtarëve shiitë.

//ze//

XS
SM
MD
LG