Lidhje

Sekretari Powell bisedoi në telefon me kryeministrin Koshtunica - 2004-03-05


Sekretari amerikan i shtetit Colin Powell bisedoi dje në telefon me kryeministrin e ri të Sërbisë, Vojisllav Koshtunica, një ditë pasi ai filloi zyrtarisht nga detyra e kryetarit të një qeverie të pakicës, e cila do të mbështetet në përkrahjen e nacionalistëve sërbë.

Departamenti i Shtetit tha se marrëdhëniet e Shteteve të Bashkuara me qeverinë e zotit Koshtunica do të varen nga veprimet e kësaj të fundit, përfshirë mbështetjen për gjykatën e Kombeve të Bashkuara për krimet e luftës në ish Jugosllavi.

Sekretari Powell e njeh mirë zotin Koshtunica që kur ai ishte president i Jugosllavisë. Madje zyrtarët në Departamentin e Shtetit thanë se ata zhvilluan një bisedë të sinqertë rreth formës së ardhme të marrëdhënieve midis Shteteve të Bashkuara dhe federatës së re të Sërbisë e Malit të Zi.

Zoti Koshtunica filloi të mërkurën detyrën e kryeministrit të Sërbisë, duke i dhënë fund një procesi të gjatë për formimin e qeverisë pas zgjedhjeve shumë të përçara, që u zhvilluan në muajin dhjetor.

Zoti Koshtunica konsiderohet një nacionalist i moderuar megjithëse qeveria e tij e pakicës do të mbijetojë me votat e Partisë Socialiste Sërbe, lëvizja konservatore e paraardhësit të tij si president i Jugosllavisë, Sllobodan Millosheviç.

Gjatë një takimi me gazetarët, zëdhënësi i departamentit të shtetit Richard Boucher, tha se administrata e presidentit Bush është e interesuar të bashkëpunojë me qeverinë e re të Sërbisë, por në se mund ta bëjë një gjë të tillë varet nga qëndrimi i qeverisë sërbe lidhur me çështje të tilla si reforma politike, shteti juridik dhe bashkëpunimi me Gjykatën e Hagës.

Zëdhënësi Boucher tha se, duke pasur parasysh historinë e kaluar të qëndrimeve të qeverisë së zotit Koshtunica, shpresat janë të pakta, por ai shtoi se zyrtarët amerikanë janë të përgatitur për supriza të kënaqshme.

“Nuk mendoj se mund të komentoj aq shumë rreth përbërjes së qeverisë, veçse të them se marrëdhëniet dypalëshe varen nga qëndrimi i qeverisë sërbe. Ne jemi në dijeni të historisë së disa prej këtyre partive, veçanërisht të socialistëve dhe lidhjeve të tyre me Millosheviçin. Dhe kjo bëri që shumë analistë politikë të na thoshin që të mos presim shumë, megjithatë ne na duhet të shikojmë se ç’qëndrim do të mbajë qeveria sërbe në lidhje me çështje të rëndësishme si reformat, shteti juridik dhe bashkëpunimi me Gjykatën e Hagës.”

Zëdhënësi Boucher tha se bashkëpunimi me Sërbinë nuk është vetëm një çështje e vijës politike për administratën e presidentit Bush, por edhe çështje ligjore, me që vetë sekretarit Powell i kërkohet që në bazë të një akti të kongresit të njoftojë deri në fund të këtij muaji në se bashkëpunimi i Sërbisë me Gjykatën e Hagës është i mjaftueshëm që të meritojë vazhdimin e ndihmave amerikane.

Bëhet fjalë për rreth 100 milion dollarë në ndihma dypalëshe dhe hua ndërkombëtare, që synojnë të ndihmojnë rindërtimin e pas luftës së Sërbisë.

Zoti Koshtunica ka qënë për një kohë të gjatë kundërshtar i gjykatës ndërkombëtare të krimeve të luftës. Ai thotë se personat e dyshuar për krime lufte në Sërbi duhet të gjykohen në atdhe. I ndeshur me tensione shoqërore dhe një ekonomi të trazuar, ai ka thënë se krimet e luftës nuk do të jenë në krye të përparësive të qeverisë së tij.

//ze//

XS
SM
MD
LG