Lidhje

Sërbi: kandidatët për në qeverinë e zotit Koshtunica kishin lidhje të ngushta me ish komunistët e vendit - 2004-03-06


Besueshmëria e qeverisë së re të Sërbisë pësoi një goditje të rëndë dje, pas publikimit të raporteve, sipas të cilave kandidatët e emëruar në qeverinë e Vojisllav Koshtunicës kishin lidhje të ngushta me ish komunistët e vendit, madje njeri prej tyre kishte një të kaluar kriminale.

Njoftimet e djeshme të shtypit shkaktuan një zemërim të madh të publikut ndaj emërimit nga kryeministri Koshtunica të ministrit të drejtësisë, Zoran Stojkoviç, për të cilin thuhet se ishte një gjykatës famëkeq i periudhës komuniste, që gjeti fajtor 6 disidentë të njohur në vitin 1984 për veprimtari kundër shtetit.

Sipas lajmeve, zoti Stojkoviç mori pjesë në gjyqe me motive politike në kohën kur president ishte Josif Bros Tito.

Gjithashtu, radio-stacioni B-92 njoftoi se sekretari i ri i komisionit legjislativ të qeverisë, Zoran Balinovaç, kishte qënë anëtar i partisë së majtë jugosllave neo-komuniste, e cila është kryesuar edhe nga bashkëshortja e ish presidentit jugosllav, Sllobodan Millosheviç.

Duke shtuar problemet e zotit Koshtunica, mjetet sërbe të informimit njoftuan se zyrtari më i lartë i rendit i sapo emëruar, ministri i brëndshëm, Dragan Joçiç, ishte gjetur njëherë fajtor për vjedhjen e një kioskoje gazetash dhe botimesh të ndryshme.

Daniel Sunter, zëvëndës-redaktor i Institutit për Njoftimet mbi Luftën dhe Paqen me seli në Beograd, thotë se qeveria e re e Sërbisë po ndeshet me një fillim të vështirë.

“Dhe kjo sepse koalicioni qeveritar është mjaft i ndërlikuar. Kemi të bëjmë me një koalicion të brishtë. Prandaj tani është shumë e vështirë të thuhet se për sa kohë do të funksionojë dhe sa kohë do të zgjasë kjo qeveri.”

Zoti Sunter dhe analistë të tjerë thonë se mundësitë e kryeministrit për të mbijetuar do të varen nga afëtsia e tij për të goditur korrupsionin dhe varfërinë, dy prej problemeve kryesore të Sërbisë.

Ai paralajmëron se refuzimi i zotit Koshtunica për të bashkëpunuar me Gjykatën e Kombeve të Bashkuara për krimet e luftës me seli në Hagë, do të ketë pasoja për të, dërsa komuniteti ndërkombëtar tërheq mbështetjen për vendin e tij.

//ze//

XS
SM
MD
LG