Lidhje

Presidenti Bush hedh poshtë kritikat ndaj përdorimit të imazheve të 11 shtatorit në reklamat e fushatës së tij zgjedhore - 2004-03-07


Dy nga reklamat e fushatës zgjedhore të presidentit paraqesin pamje të godinave të djegura të Qendrës Botërore të Tregtisë dhe zjarrfikësit në vendin e ngjarrjes. Zoti Bush ka treguar aftësi të vazhdueshme udhëheqëse në kohëra të ndryshimeve, thotë folësi gjatë reklamës.

Përdorimi i këtyre pamjeve është pasuar me ankesa nga disa familje të atyre që humbën jetën në ato sulme. Ata thonë se zoti Bush po përpiqet të përdorë sulmet për përfitime politike, ndërsa përpiqet të rizgjidhet, dhe se dëshirojnë që këto reklama të mos shfaqen më.

Duke folur me gazetarët në fermën e tij në Teksas, pas një takimi me presidentin e Meksikës, Vicente Fox, presidenti Bush tha se sulmet e 11 shtatorit 2001 janë një pjesë legjitime e fushatës zgjedhore të këtij viti.

“Unë do të vazhdoj të flas për ndikimet që pati 11 shtatori ndaj vendit tonë dhe presidencës time. Unë do të vazhdoj të jem i pikëlluar për humbjen e jetëve atë ditë, por unë kurrë nuk do të harroj mësimet e asaj dite. Atë ditë terroristët na shpallen luftë dhe unë do ta vazhdoj këtë luftë. Unë kam një detyrim ndaj atyre që humbën jetën atë ditë. Unë kam një detyrim ndaj atyre që u përpoqen të shpëtojnë të tjerët atë ditë dhe unë nuk do ta harroj këtë detyrim.”

Presidenti Bush thotë mënyra se si administrata e tij e trajtoi gjendjen atë ditë duhet diskutuar. Ai thotë se pret me pa durim debatin se kush është më i aftë për të udhëhequr vendin në luftën kundër terrorizmit.

Mindy Kleinberg humbi të shoqin Allen në sulmet e 11 shtatorit. Në intervistën dhënë rrjetit televiziv NBC të premten ajo tha se nuk kundërshton përdorimin e pamjeve të asaj ditë në programe dokumentare, të cilat flasin për ato sulme, por ajo mendon se përdorimi i këtyre pamjeve për qëllime politike nuk është i përshtatshëm.

“Ka një ndryshim në përdorjen e imazheve në një reklamë. Nuk më intereson fare në se përdoruesi është republikan, demokrat apo i pavarur. Imazhet e vdekjes po përdoren për përfitime politike. Ka mënyra të tjera ku mund të përdoren këto imazhe."

Patricia Reilly humbi të motrën në këto sulme. Gjatë të njejtës intervistë në rrjetin NBC, ajo tha se nuk sheh asgjë të keqe që presidenti përdor imazhet e 11 shtatorit në reklamat e tij të fushatës zgjedhore.

“Unë mendoj se reklama ishte të përshtatshme dhe se këto imazhe i përkasin gjithë Amerikës sepse në këtë ditë u sulmua e tërë Amerika. Mendoj se për sa kohë që këto reklama të jenë të përshtatshme, ne duhet të kujtojmë tmerrin dhe shkatërrimin e asaj dite, përndryshe jemi të destinuar që kjo të na përsëritet.”

Lufta kundër terrorizmit është një ndër çështjet më të rëndësishme në fushatën presidenciale, pasi kandidati i partisë demokrate, senatori John Kerry, do të vëjë në pikpyetje aftësitë udhëheqëse të presidentit Bush. Zoti Bush thotë se ai e ka bërë vendin më të sigurtë pas sulmeve terroriste të 11 shtatorit dhe se do ta vazhdojë këtë punë në se rizgjidhet.

//ze//

XS
SM
MD
LG