Lidhje

Shqipëri: Kontrolli i Shtetit zbulon 28 milionë dollarë humbje financiare - 2004-03-07


Gjatë vitit të kaluar Kontrolli i Lartë i Shtetit ushtroi 156 kontrolle në ministri dhe institucione qendrore, institucione të qeverisjes vendore, drejtoritë dhe degët e tatim-taksave e doganave, si dhe institucionet financiare dhe shoqëritë shtetërore. Kontrollet kishin si objektiv të verifikonin se si ishte zbatuar buxheti i sejcilit prej këtyre organizmave, si ishin përdorur fondet publike, si ishin administruar të ardhurat dhe ç’masa janë marrë për zbutjen e evazionit fiskal (shmangia e taksave).

Sipas konstatimeve dhe përfundimeve të kontrolleve, vlera e dëmeve financiare arrin në 28 milionë dollarë. Dëmet më të mëdha janë të ardhurat e munguara në arkën e shtetit. 23 milionë dollarë u përkasin këtyre të ardhurave, kurse pjesa tjetër përfaqëson abuzime me përdorimin dhe shpenzimet e fondeve publike. Sipas raportit të Kontrollit të Shtetit, dëmet më të mëdha janë shumat e paarkëtuara nga tatimet dhe taksat: në mbi 11 milionë e 400 mijë dollarë. Ndërsa detyrimet doganore të pashlyera janë afër 1,5 milionë dollarë, ku pjesa dërmuese i përket doganës së Durrësit.

Përsa u përket shpenzimeve, abuzimet më të mëdha janë konstatuar në fushën e prokurimeve publike, si adhe ato të pagave, shpërblimeve dhe honorareve. Në raportin e tij, Kontrolli i Shtetit kërkon që për dëmet e shkaktuara në buxhet të bëhen ndalesat dhe të zhdëmtohet arka e shtetit nga personat përgjegjës në masën 99 për qind të vlerës totale të dëmit.

Kontrolli i Shtetit ka rekomanduar të merren gjithsej 486 masa disiplinore dhe administrative, si dhe ka dërguar për ndjekje penale në prokurori 11 çështje.

Shkeljet dhe abuzimet financiare çdo vit mbeten në vlera të larta, por megjithë masat e kërkuara, nuk dihet nëse ndonjëherë shtetit i janë zhdpmtuar humbjet që i janë shkaktuar. //az//

XS
SM
MD
LG