Lidhje

Gara për Shtëpinë e Bardhë po intensifikohet - 2004-03-08


Ndoshta dy kandidatët e partive më të mëdha politike nuk do të vihen përballë njeri tjetrit për të debatuar çështje të ndryshme deri nga muaji shtator apo tetor. Por ata kanë filluar tashmë t’i bëjnë sfidë njeri tjetrit në intervista të veçanta dhe në ndalesa të ndryshme në kuadër të fushatës.

Presidenti Bush po i referohet tani senatorit të Masachusets, John Kerry, si kundërshtar i tij. Dhe kandidati shumë i mundshëm i Partisë Demokrate po i shton kritikat ndaj presidentit Bush lidhur me politikën e jashtme dhe ekonominë.

Në një intervistë që u botua në numrin e djeshëm të gazetës The New York Times, senatori Kerry dënoi përgjigjen e presidentit ndaj krizës në Haiti. Ai tha se Amerika duhet të kishte dërguar trupa për të mbrojtur Zhan Bertrand Aristid, sepse, megjithëse me plot të meta, ai ishte një udhëheqës i zgjedhur.

Kjo ishte intervista e parë në thellësi e zotit Kerry mbi çështje ndërkombëtare që kur rivali i tij kryesor për emërimin e partisë demokrate, senatori John Edwards, u tërhoq nga gara. Ndërkohë, për fushatën e presidentit Bush po transmetohen një seri reklamash të paguara televizive, të cilat nxjerrin në dukje rolin udhëheqës të presidentit në luftën kundër terrorizmit.

Republikanët duan që lufta kundër terrorizmit të jetë çështja kryesore e fushatës, ndërkohë që demokratët do të donin që theksi të vihej më shumë mbi ekonominë.

Në një seri programesh lajmesh, që mbizotërojnë kanalet televizive të dielën paradite në Shtetet e Bashkuara, secila palë tregoi strategjinë e vet të zgjedhjeve.

Në programin televiziv FOX NEWS SUNDAY, kryetari i fushatës Bush-Cheney për rizgjedhje mbrojti përdorimin e imazheve të sulmeve teroriste të 11 shtatorit në reklamat e para televizive. Ish guvernatori i shtetit Montana, Mark Racicot, tha se këto reklama përcjellin një mesazh.

“Rikujtimi i atij momenti ka të bëjë me rolin udhëheqës të presidentit gjatë një momenti tepër, tepër të vështirë. Reklamat kanë për qëllim të tregojnë se ç’do të bëjmë ne rreth terrorizmit në të ardhmen.”

Duke dalë pak më vonë në programin e rrjetit televiziv CBS, Face the Nation, guvernatori i shtetit të Pensillvanisë, Ed Rendell, tha se ngjarrje që pasuan e kanë vënë në pikpyetje rolin e presidentit në politikën e jashtme. Zoti Rendell, i cili ka udhëhequr më parë Partinë Demokrate, tha se edhe ata që e mbështesin luftën në Irak kanë arsye të kritikojnë administratën.

“Ne jemi komplet të papërgatitur për paqen. Nuk kemi asnjë ide çfarë forme të re do të marrë Iraku. Mendoj se kritikat legjitime janë të përshtatshme në kohë ndryshimesh.”

Guvernatori Rendell është tani në një listë relativisht të gjatë të emrave që po përmenden si kandidatë të mundshëm për nën-president. Ai parashikoi një garë shumë të ngushtë dhe një debat të ashpër kombëtar gjatë gjithë fushatës.

Në programin This Week të rrjetit televiziv ABC, senatori republikan John McCain i bëri jehonë kësaj pikpamjeje. Ligjvënësi i Arizonës ishte rival i George W. Bushit për emërimin e partisë republikanë për në zgjedhjet e vitit 2000.

“Ne kemi të bëjmë me situatën politike më të polarizuar që kam parë ndonjëherë. Kam frikë se fushata do të jetë tepër negative nga të dyja palët.”

Senatori McCain parashikoi se nëse ky ton fushate vazhdon, shumë amerikanë do të shkurajohen dhe kjo do të rezultojë në një pjesëmarrje më të ulët në ditën e zgjedhjeve. Ai u bëri thirrje kandidatëve që të përqëndrohen më pak tek e kaluara e njeri tjetrit dhe të përqëndrohen më shumë në mënyrat si ta udhëheqin vendin.

//ze//

XS
SM
MD
LG