Lidhje

Irak: nënshkruhet kushtetuta e përkohshme - 2004-03-08


Këshilli qeverisës i Irakut miratoi sot kushtetutën e përkohshme të vendit duke i hapur kështu rrugën kthimit të sovranitetit irakianëve, në fund të muajit qershor.

Disa anëtarë shi’itë të Këshillit Qeverisës të emëruar nga Shtetet e Bashkuara, thonë se ende kanë rezerva për dy prej dispozitave, por pranuan ta nënshkruajnë dokumentin, si një hap të rëndësishëm drejt rikthimit të sovranitetit popullit irakian. Anëtarët shi’itë të Këshillit janë të shqetësuar rreth formës që do të ketë presidenca dhe rreth ndikimit që do të ketë pakica kurde në bazë të kushtetutës së re.

Disa orë pas nënshkrimit të dokumentit, udhëheqësi shi’it më me ndikim në Irak, Ajatollahu i Madh Ali al-Sistani, lëshoi një deklaratë ku thekonte se dokumenti paraqiste pengesa për një kushtetutë të përhershme për një shtet të bashkuar. Anëtarët shi’itë të Këshillit Qeverisës u takuan dje me Ajatollahun Al-Sistani dhe thanë pas takimit se ai kishte rënë dakort me dokumentin.

Zyrtarëve amerikanë dhe atyre irakianë tani u mbetet më pak se 4 muaj për të rënë dakord për mënyrën e formimit të një qeverie të përkohshme, e cila do të marrë më 30 qershor kontrollin nga Autoritetit i Përkohshëm i forcave të koalicionit. Kjo qeveri do të punojë pastaj për kushtetutën e përhershme dhe do të përgatisë zgjedhjet e përgjithshme, jo më vonë se fundi i janarit të vitit të ardhshëm.

Ndërkohë, në Irak kanë vazhduar incidentet me dhunë. Policia në qytetin verior të Mosulit tha se një anëtar i Këshillit Bashkiak u vra nga disa persona të armatosur. Në Bagdad, kryengritësit hapën zjarr me predha ndaj një stacioni policie, duke plagosur të paktën 4 vetë.

Kushtetuta e përkohëshme e Irakut ishte në plan të firmosej javën e kaluar, por nënshkrimi u shty dy herë, fillimisht nga sulmet vdekjeprurëse ndaj qendrave të shenjta të shi’itëve dhe pastaj për shkak të kundërshtimit të 5 anëtarëve shi’itë të Këshillit Qeverisës.

XS
SM
MD
LG