Lidhje

Beograd: fillon gjyqi i gjashtë serbëve të akuzuar për krime lufte të kryera në Kroaci - 2004-03-09


Në Beograd filloi gjyqi i gjashtë serbëve të akuzuar për krime lufte të kryera në Kroaci para më shumë se 12 vjetësh. Ky është rasti i parë gjyqësor për krime lufte me këto përmasa që zhvillohet në Serbi. Ai konsiderohet si një provë e rëndësishme për gjykatën e posaçme serbe të ngritur vitin e kaluar për të gjykuar çështje krimesh lufte në rajon.

Mbi të akuzuarit rëndojnë padi për rolin në vrasjen e rreth 200 të burgosurve në Vukovar të Kroacisë Lindore në nëntor 1991, pasi trupat jugosllave vunë nën kontroll qytetin.

Ata kanë qenë anëtarë të një njësie paraushtarake që luftonte në Vukovar kundër pavarësisë së Kroacisë nga Jugosllavia. Ata akuzohen se kanë transportuar të burgosurit e luftës nga një spital i Vukovarit në një fermë derrash aty pranë dhe i ekzekutuan. Ky ishte një nga episodet më të egra të luftës.

Prokurorët ngritën padi fillimisht për tetë persona, por një zyrtar i gjykatës tha se një nga të dyshuarit vdiq dje, pas një tentative për vetëvrasje, ndërsa një tjetër ka pranuar të bëhet dëshmitar i organit të akuzës.

Prokurorët thanë se gjyqi është një provë për Serbinë. Qeveria e ka vënë në qendër të politikës së saj gjykimin e rasteve për krime lufte në vend, në vend që të dërgojë të dyshuar në Gjykatën e Kombeve të Bashkuara për krime lufte Hagë.

Serbia e ngriti gjykatën e posaçme të krimeve me ndihmën e perëndimit për të gjykuar raste që kanë lidhje me krime lufte dhe krimin e organizuar.

Kryeministri i ri serb Vojislav Kostunica ka qenë një nga mbëshetësit kryesorë të idesë për gjykimin në vend të të akuzuarve për krime lufte.// lk //

XS
SM
MD
LG