Lidhje

Sfidat e qeverisë së re greke dhe imigrantët shqiptarë - 2004-03-09


Në Greqi, vëzhguesit po presin të shikojnë se si do të ndikojë ardhja në fuqi e Partisë Demokracisë së Re e zotit Kostas Karamanlis në përballimin e sfidave kryesore me të cilat ndeshet vendi. Megjithëse Lojrat Olimpike dhe çështja e ishullit të ndarë të Qipros janë dy nga çështjet më të ngutëshme për qeverinë e re, Demokracia e Re do të duhet të pozicionohet qartë edhe për një problem tjetër jo më pak delikat siç është imigracioni. Në Greqi jetojnë dhe punojnë rreth 400 mijë imigrantë shqiptarë. Lidhur me sfidat e qeverisë së re greke, kolegu ynë Ilir Ikonomi intervistoi shefin e shërbimit grek të Zërit të Amerikës, George Bistis.

Zëri i Amerikës: Zoti Bistis, përse votuesit grekë e kërkuan një ndryshim të tillë?

G. Bistis: Do të thosha se përmasat e fitores së Partisë Demokracia e Re flasin për një humbje të qartë të PASOK-ut, partia e cila është akuzuar për arrogancë dhe cinizëm, pas tre fitoresh të njëpanjëshme elektorale. Mendoj se grekët ishin të lodhur dhe kërkonin një ndryshim, prandaj kërkuan ardhjen e Partisë Demkracia e Re dhe të zotit Kostas Karamanlis.

Zëri i Amerikës: Dy nga sfidat e mëdha për zotin Karamanlis tani për tani janë çështja e Qipros dhe çështja e Lojrave Olimpike, përgatitjet për të cilat nuk po shkojnë sipas planit. Çfarë mund të bëjë qeveria e re më shumë se sa qeveria e mëparshme për t’i përballuar këto sfida?

G. Bistis: Nuk është çështja për të bërë më shumë, por për të bërë aq sa të jetë e mjaftueshme që lojrat olimpike të fillojnë sipas planit në muajin gusht dhe mendoj se kjo do të ndodhë. Siç e thatë me të drejtë edhe ju, disa nga objektet olimpike janë prapa me përgatitjet dhe ka patur shqetësime se ndryshimi i qeverisë do të shkaktonte vonesa të mëtejshme. Megjithatë, përfaqësuesit e Partisë Demokracia e Re kanë lënë të kuptohet gjatë gjithë fushatës zgjedhore se kur të vinin në fuqi ata do të intensifikonin përpjekjet për të përfunduar punën që duhet bërë, në mënyrë që Lojrat të zhvillohen me sukses dhe nën masat e duhura të sigurisë.

Zëri i Amerikës: Po çështja e Qipros?

G. Bistis: Çështja e Qipros është mjaft e vështirë. Ajo vazhdon prej 30 vjetësh. Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara u ka kërkuar Greqisë dhe Turqisë të ndërmjetësojnë arritjen e një zgjidhjeje përpara afatit të 1 majit. Do të thosha se zoti Karamanlis diskutoi për këtë çështje me kryeministrin turk, zotin Tayipp Ergohan pas fitores në zgjedhje. Në intervistën e tij të parë dhënë gazetës Korriere della Sera, ai tha se dëshiron të përpiqet për një zgjidhje të drejtë, funksionale dhe të tipit evropian të çështjes. Nuk diskutohet që ky është një problem i vështirë dhe zoti Karamanlis thotë se mund të vështirësohet akoma më shumë për shkak të qendrimit që po mbahet nga udhëheqësi turko-qipriot, Rauf Denktash. Zoti Karamanlis beson gjithashtu se një marrëveshje mund të mos arrihet deri më 1 maj por jam i sigurt se përpjekjet nuk do të mungojnë për arritjen e qëllimit në mënyrë që Qiproja e bashkuar të hyjë në Bashkimin Evropian si një vend i vetëm, pra qipriotët grekë së bashku me qipriotët turq.

Zëri i Amerikës: Le të flasim për problemin e imigracionit. Në Greqi, më shumë se gjysma e imigrantëve të huaj janë shqiptarë dhe natyrisht ata janë të interesuar të dinë se çfarë do të ndodhë me ta tani pas ndryshimit të qeverisë. Gjatë fushatës elektorale, nuk pamë që kandidatët të flisnin me tone të larta për këtë çështje. A është ky një tregues se në politikën greke të imigracionit nuk do të shikojmë ndryshime?

G. Bistis: Së pari, asgjë nuk do t’u ndodhë atyre, meqenëse ju shtruat pyetjen se çfarë do t’u ndodhë imigrantëve shqiptarë. Çështja e imigracionit nuk është thjesht një çështje greke. Bashkimi Evropian ka orientimet e tij që ndihmojnë për rregullimin e këtij problemi dhe Greqia nuk mund t’i ndryshojë dot këto orientime pavarësisht nëse i pëlqen ose jo. Pra nuk duhet pritur ndonjë ndryshim përsa u përket imigrantëve, sidomos imigrantëve shqiptarë. Megjithatë, duhet të presim për të parë politikën e përgjithshme të qeverisë së re. Ne dimë se njëri ndër tre synimet strategjike të zotit Karamanlis është përmirësimi i gjendjes së paqes dhe qendrueshmërisë në Ballkan. Natyrisht, synimi numër një është mbrojtja e interesit kombëtar të Greqisë dhe objektivi i dytë është përmirësimi i imazhit të Greqisë dhe i ndikimit të saj në Bashkimin Evropian. Por synimi i tretë strategjik dhe shumë i rëndësishëm i zotit Karamanlis, është përmirësimi i marrëdhënieve ndërmjet vendeve të Evropës juglindore. Ai e pranon se gjatë 10 viteve të ardhshëm do të ketë ndryshime shumë të rëndësishme në rajon dhe ai synon që Greqia të luajë një rol të dorës së parë in këto ndryshime. Ai kërkon marrëdhënie të fqinjësisë së mirë, bashkëpunim më të mirë midis vendeve të rajonit, respektimin e të drejtave të njeriut dhe të demokracisë dhe së fundi një zgjidhje paqësore të të gjitha çështjeve ekzistuese ose që mund të dalin në të ardhmen.

XS
SM
MD
LG