Lidhje

Shkolla e drejtësisë, një nga më të vështirat në Shtetet e Bashkuara - 2004-03-09


Elika Naraghi kujton se sa mirë ia kalonte gjatë studimeve në Universitetin George Washington. Asaj i dilte koha të rrinte me shokët dhe të përfitonte nga të gjitha zbavitjet që ofronte qyteti i Washingtonit. Por kjo nuk vazhdoi në Kaliforni, kur ajo filloi të ndjekë studimet pasuniversitare në Fakultetin Juridik Thomas Jefferson.

“Një ditë shkova në shtëpi, tregon ajo, dhe babai më vështroi e tha se dukesha si fantazëm. Kjo ndodh, thashë se nuk kam parë diell prej disa muajsh. Unë veçse shkoja nga shtëpia me makinë në shkollë dhe përsëri me makinë shkoja në bibliotekë. Duhej mjaft përkushtim dhe punë”.

Alex Wellen u hyri studimeve pasuniversitare juridike pasi kishte shpikur një lloj të ri rakete ping-pongu. Ai mendonte se po të nxirrte një patentë për këtë shpikje, do të bëhej i pasur, por juristi i patentave nuk tregoi ndonjë interesim të veçantë për shpikjen e tij. Kështu që Alexi mendoi se po të bëhej jurist dhe të arrinte të nxirrte patentën për shpikjen e tij, do të mund jetonte me të ardhurat e saj. Por ai zbuloi se studimet në fushën e ligjeve nuk ishin aspak të lehta.

“Drejtësia është një degë me mjaft konkurrencë. Aty mëson si të argumentosh dhe në këto rrethana mbërthehesh në debat me njerëz që kanë pikëpamje të ndryshme në shumë aspekte e në politikë. Kështu që shumë individë mjaft të mençur janë rrëzuar ose në vitin e parë, ose më vonë gjatë shkollës apo në provimin i shtetit ”.

Elika Naraghi thotë se orientimi drejt të menduarit kritik parakupton studim të thellë për çdo orë mësimi dhe pjesëmarrje në diskutim.

“Ne lexojmë çështje gjyqësore. I diskutojmë në këndvështrimin ligjor, si kanë ndikuar ato në krijimin e precendentëve etj. Disa nga orët e mësimit janë më së shumti diskutime dhe vetëm pak leksion. Dhe kur të thirret emri, duhet patjetër të dish të përgjigjesh”.

Kësaj i shtohet stresi për të pasuruar biografinë profesionale. Alex Wellen thotë se notat gjatë vitit të parë të studimeve në juridik mund të jenë vendimtare, pasi pa filluar ende viti i dytë, studentët do të kenë filluar të kërkojnë punë verore në profilin e tyre, gjë që mund të çojë në punë të përhershme. Pastaj, deri në vitin e tretë vështirësitë shtohen edhe më tej për shkak të studimeve për provimin e shtetit. Zoti Wellen thotë se as leksionet në fakultetin juridik dhe as puna verore nuk e kishin përgatitur atë për provimin shtetëror.

“Provimi nuk është njësoj si të ushtrosh profesionin, pasi si jurist nuk të takon kurrë të mësosh përmendësh. Megjithatë, më duhej të mësoja 25 raste në legjislacionin e New Yorkut e t’i përërisja përmendësh. Fakulteti juridik të mëson të mendosh më tepër si jurist, kurse provimi i shtetit është më tepër të durosh stresin e pandërprerë. Në njërën prej ditëve të provimit u duhej dhënë përgjigje 200 pyetjeve dhe për të kaluar duheshin 125 përgjigje të sakta, gjë që duket e arësyeshme, por mua më dukej fare e pamundur. Prandaj kam studiuar pa ndërprerje për rreth 1 mijë orë. ishte shumë, shumë vështirë!”

Por Alexi e kaloi provimin me herën e parë, siç i ndodh shumicës së studentëve në Shtetet e Bashkuara. Elika Naraghi, e cila është në vitin e dytë të studimeve pasuniversitare thotë se nuk ka dyshim se gjithë ky mundim ia vlen:

“Më pëlqen të jem në klasë e të dëgjoj gjëra që nuk i kam ditur. Ora më e këndshme për mua është ajo e ligjit kushtetues”.

Shumica e juristëve e presin me padurim ditën kur, pas përfundimit të shkollës, të fillojnë të vjelin frytet e punës të tyre. Shumica gjejnë punë brenda disa muajsh pas diplomimit dhe më të mirët hyjnë në radhën e njerëzve më të paguar të Amerikës.//kk//

XS
SM
MD
LG