Lidhje

Përsëri polemika për dënimin me vdekje - 2004-03-10


Dënimi me vdekje qe ekziston ne Shtetet e Bashkura ka qenë gjithmonë një pikë mospajtimi mes Amerikës dhe Evropës. Kohët e fundit, disa vende evropiane e kanë kundërshtuar kërkesën amerikane për dorëzimin e të dyshuarve për terrorizëm në gjykatat amerikane, pasi ato mund t’u japin atyre dënim me vdekje. Debati për dënimet me vdekje është hapur kështu përsëri.

Për Kofi Ananin dhe Kombet e Bashkuara, as krimet e luftës dhe gjenocidi për të cilat akuzohet Sadam Huseini nuk e justifikojnë dënimin e tij me vdekje.

“Kombet e Bashkuara nuk e mbështesin dënimin me vdekje, dhe të gjitha gjykatat e krijuara nga OKB-ja e kanë përjashtuar këtë dënim”.

Në Shtetet e Bashkuara, ku pati rreth 70 dënime me vdekje në vitin 2003, rastet e terrorizmit apo vrasjet masive, shpesh sjellin dënime me vdekje. I tillë ishte edhe rasti i Timothy McVeight në vitin 2001, i cili shpërtheu bombën në Oklahoma City. Para pak kohësh, personi që vitin e kaluar kreu një sërë vrasjesh me snajper në zonën përreth Washingtonit, John Muhamed, u dënua me vdekje nga një juri në Virxhinia.

“Besojmë se është e justifikueshme për SHBA-në që të japë dënime me vdekje për vrasësit dhe terroristët, sepse kjo i shërben parimeve të drejtësisë”, thotë eksperti ligjor Paul Kamenar.

“Nëse nuk ka dënim me vdekje, atëhere ajo që u thuhet vrasësve dhe terroristëve është se, ju mund të shkatërroni edhe Qendra të tjera Botërore të Tregtisë dhe ne si shoqëri nuk do t’u dënojmë me vdekje”, shton ai.

Kristin Houle e organizatës Amnesty International, thotë se vendet evropiane, nuk po e luftojnë më pak terrorizmin, por ato nuk i përdorin dënimet me vdekje.

“Amerika nuk po ecën në të njëjtin hap me vendet mike dhe aleate në Evropë dhe vende të tjera në botë. Dënimi me vdekje është ndaluar në shumicën e vendeve të Amerikës Latine”, thotë zonja Houle.

“Nëse zbatohet kjo teori, atëhere Osama bin-Ladeni nuk do të dënohet me vdekje....Sadam Huseini, Hitleri ...e kështu me radhë”.

Por edhe aleatët amerikanë, si Britania e Madhe, jo vetëm që po refuzojnë ekzekutimin e terroristëve apo vrasësve, por ata refuzojnë edhe ekstradimin e të dyshuarve në Shtetet e Bashkuara, nëse ata dënohen me vdekje.

Po edhe kur SHBA-ja mban një të dyshuar, situata mund të ketë ndikime. Për shembull rasti i Zacharias Moussaoui, një shtetas francez që gjykohet në Amerikë lidhur me sulmet terroriste të 11 shtatorit. Qeveria franceze, ka refuzuar t’i japë Uashingtonit prova që do të përdoreshin për të kërkuar dënimin kapital për Moussaouin.

Pjesë e shqetësimit evropian është mundësia e dënimit me vdekje të një përsoni për krime që nuk i ka bërë. Kristin Houle, thotë se një numër në rritje amerikanësh bashkohen me këtë shqetësim.

“Që nga 1973, 112 vetëve u është hequr dënimi me vdekje në Amerikë, pasi janë gjetur prova pafajsie”.

“Kur u dënova me vdekje, nuk e besoja, pasi u dënova për një krim që nuk e kisha bërë”, thotë Ronal Jones ish-i dënuar me vdekje.

Raste të tilla si ai i Ronal Jones, i cili u lirua pas 14 vjet burg në pritje të ekzekutimit, bënë që shteti Illinois të pezullojë dënimin me vdekje. Por Paul Kamenar, thotë se Amerika shpenzon shumë kohë për të siguruar zbatimin e drejtësisë.

“Një gjykim tipik, rishikohet nga 27 gjykatës të shtetit dhe federalë, nga nëntë gjykata të ndryshme në një hark kohor prej gjashtë vitesh. Kështu që kemi një proces mjaft të gjatë dhe të mirë në Amerikë”, thotë ai .

Në kontrast me këtë, disa vende përdorin dënimin me vdekje për krime më të vogla se vrasjet, si përshembull Kina, e cila ekzekuton rreth 1700 vetë në vit.

“Në Kinë, e cila dallohet për dhunimin e të drejtave të njeriut, kur flitet për dënimin me vdekje, dihet se disa disa dhjetëra mijëra njerëz janë ekzekutuar, sidomos kur vendi ndërmerr aksione të njohura për të simbolizuar goditjet e rënda ndaj krimit në vend”, thotë zonja Houle e organizatës Amnesty International.

Jo çdo njeri që është për dënimin me vdekje, do të ishte dakord me ligjet që zbaton Kina. Por shumë e shohin dënimin me vdekje si një dënim të drejtë ndaj krimeve të rënda.//kk//

XS
SM
MD
LG