Lidhje

Vaksinë e re për sëmundjen e lisë - 2004-03-11


Shkencëtarët e qeverisë amerikane kanë krijuar një vaksinë të re për linë, e cila ka pasur sukses në provat me kafshët e laboratorit dhe mendohet se është më e padëmshme se vaksina ekzistuese. Nëse provat me njerëz dalin me sukses, ky zbulim mund të jetë vaksina e ardhshme në rast të një sulmi bioterrorist me virusin e lijës.

Nevoja për një vaksinë të re të lijës u bë e qartë nga një program i kohëve të fundit për të vaksinuar punonjësit amerikanë të sektorit të shëndetësisë, policët dhe zjarrfikësit, të cilët do t’i përgjigjeshin një epidemie të mundshme të lijës.

Ndër 38 mijë personat e vaksinuar vitin e kaluar, dy prej tyre pësuan efekte të rënda anësore, si fryrje të trurit, inflamacion të zemrës dhe acarim të lëkurës. Një studim i ushtrisë amerikane me pjesëmarrjen e 500 mijë forcave të armatosura, tregoi se 3 për qind e tyre kërkuan leje për probleme shëndetit pasi morën vaksinën ekzistuese Dryvax.

Eksperti kryesor i qeverisë për sëmundjet ngjitëse, Anthony Fauci i Institutit Kombëtar të Shëndetit ka paralajmëruar zyrtarët e shëndetit të mos bien në vetëkënaqësi lidhur me efektet e vaksinës ekzistuese: “Duke u bazuar në rezultatet e këtij studimi nuk mund të themi se kemi të bëjmë me një vaksinë plotësisht të padëmshme. Kjo vaksinë ka shkaktuar disa efekte anësore serioze”.

Laboratori i Dr. Faucit ka punuar për krijimin e një vaksine të re. Rezultatet e punës, të cilat botuan në revistën “Nature” dhe revistën “The Proceedings of the US National Accademy of Science,” tregojnë sukses në provat me minj dhe majmunë në laboratorë. Studimi u drejtua nga shkencëtari Bernard Moss:

“Nga çdo pikëpamje, gjetëm rezultate shumë inkurajuese. Në të dyja provat, si me minjtë ashtu edhe majmunët, vaksina e re ofroi mbrojtje po aq të mirë sa vaksina ekzistuese”.

Vaksina e re M-V-A, ashtu si ajo ekzistuese Dryvax, ka në përbërje një sasi virusi. Kur trupi kontakton virusin e vaksinës, i përgjigjet atij me të njëjtin reagim sikur të ishte një infeksion i vërtetë, duke prodhuar rruazat e bardha për luftimin e sëmundjes. Kjo bën që sistemi i imunitetit të përgatitet në rast të një epidemie të lijës.

Dr. Moss thotë se dallimi ndërmjet të dy vaksinave është se vaksina e mëparshme Dryvax shkakton një infeksion të vogël, ndërsa vaksina eksperimentale M-V-A është shumë e dobësuar dhe nuk shkakton ndonjë infeksion në organizëm:

“Aktualisht mendojmë se vaksina M-V-A mund të përdoret në ata njerëz për të cilët nuk rekomandohet vaksina Dryvax. Në Shtetet e Bashkuara ka rreth 20 milion persona të tillë”.

Këtu përfshihen personat me sistem të dobësuar imuniteti si rrjedhojë e kimoterapisë apo sëmundjes së Sidës.

Një tjetër përdorim i mundshëm për vaksinën eksperimentale është për të vaksinuar popullsinë si masë paraprake, e cila do të pasohet me vaksinimin me Dryvax në rast të kërcënimit nga epidemia e lijës. Provat me majmunët në laborator tregojnë se përdorimi i të dyja vaksinave ofron një mbrojtje më të mirë sesa vetëm përdorimi vaksinës eksperimentale. Dr. Moss shton se kjo procedurë e bën gjithashtu më të padëmshme vaksinën ekzistuese Dryvax:

“Studimet me majmunët treguan se nëse jepet së pari vaksina M-V-A dhe më pas vaksina Dryvax, reaksioni i trupit ndaj vaksinës Dryvax është shumë më i vogël”.

Tani mbetet të fillohen provat e vaksinës së re në njerëz. Dr. Moss thotë se për këtë mund të duhen disa vite, derisa agjencia amerikane për kontrollin e ilaçeve të marrë vendim për të miratuar ose jo vaksinën MVA.//kk//

XS
SM
MD
LG