Lidhje

Autoritetet indoneziane vazhdojnë luftën kundër terrorizmit - 2004-03-12


Udhëheqësi terrorist indonezian Abu Bakar Bashir është aktualisht në burg. Por më 9 mars, Gjykata e Lartë e Indonezisë vendosi ta pakësojë dënimin e tij nga 3 vjet në 18 muaj burgim. Kjo do të thotë se ai mund të lirohet pas disa javësh.

Lirimi i Abu Bakar Bashirit nga burgu do të ishte një veprim zhgënjyes veçanërisht për të afërmit e më shumë se 200 personave që u vranë nga shpërthimet terroriste në Bali të Indonezisë në tetor të vitit 2002. Këto shpërthime u kryen nga Jemah Islamijah, grupi terrorist që u krijua me ndihmën e Abu Bakar Bashirit.

Në procesin e tij gjyqësor shtatorin e kaluar, thotë zëdhënësi i Departamentit të Shtetit Richard Boucher, u paraqitën prova të shumta “të cilat përshkruajnë rolin e tij drejtues dhe angazhimin e tij personal në veprimtaritë terroriste.”

“Vrasja e burrave, grave dhe fëmijëve të pafajshëm si dhe akte të tjera të dhunshme si shpërthimet në Indonezi tregojnë se terrorizmi është një kërcënim serioz për sigurinë e Indonezisë dhe fqinjëve të saj dhe ne mendojmë se Indonezia dhe qeveria e saj duhet të mbajnë qëndrim të prerë kundër këtij kërcënimi,” tha zoti Boucher.

Deri në arrestimin e tij në tetor të vitit 2002, Abu Bakar Bashir ishte udhëheqës i grupit terrorist Jemah Islamiyah, ose “Komuniteti Islamik,” i cili ka lidhje me rrjetin al-Kaida. Pavarësisht nga emri çorientues, pjesa më e madhe e myslimanëve në Azinë juglindore e kundërshtojnë programin dhe veprimtaritë e këtij grupi terrorist. Jemah Islamiyah është angazhuar për të krijuar një shtet islamik që të përfshijë territorin e Indonezisë, Malejzisë, Singaporit dhe Filipinet jugore.

Abu Bakar Bashir është gjithashtu bashkë-themeluesi i një shkolle myslimane në Solo të Indonezisë. Nën drejtimin e tij, shkolla ka nxitur ekstremizmin islamik në të njëjtën mënyrë si medresetë që prodhuan regjimin taleban në Afganistan. Një numër terroristësh të rrezikshëm ndoqën shkollën e Abu Bakar Bashirit, përfshirë Ali Gufron, i njohur si Mukla, i cili është dënuar me vdekje për rolin e tij në shpërthimet në Bali.

Duke sjellë para drejtësisë terroristin Muklas dhe terroristë të tjerë, autoritetet indoneziane tregojnë se janë angazhuar seriozisht në luftën kundër terrorizmit.

//ad//

XS
SM
MD
LG