Lidhje

Sekretari Pauell fillon turneun në vendet e Azisë Jugore - 2004-03-15


Sekretari amerikan i shtetit, Kolin Pauëll, shkon sot në Indi, ndalesa e parë e një turneu në Azinë Jugore, gjatë të cilit ai do të përqendrohet tek bisedimet e përtëritura të paqes midis Indisë e Pakistanit dhe operacionet për kapjen e luftëtarëve talebanë e të al-Kaidës në afërsi të kufirit afgan.

Mes të tjerash, në takimet me zyrtarë të lartë indianë në Nju Delhi, Sekretari Pauëll do të shqyrtojë marrëveshjet dypalëshe të kohëve të fundit për shkëmbime teknologjike. Zoti Pauëll u tha anëtarëve të Kongresit amerikan para disa ditësh se Shtetet e Bashkuara kanë hyrë në marrëdhënie të reja me Indinë, të cilat, theksoi ai, janë të fuqishme dhe vazhdojnë të rriten.

Ky është udhëtimi i parë i Sekretarit Pauëll në Azinë Jugore në dy vjet. Në Pakistan, zoti Pauëll do të diskutojë rreth zbulimeve të kohëve të fundit se shkencëtari kryesor i qeverisë pakistaneze në fushën bërthamore u ka kaluar sekrete armësh Koresë së Veriut, Libisë dhe Iranit.

Shefi i diplomacisë amerikane tha se kërkon të tregojë mbështetjen e Shteteve të Bashkuara për ato që ai i cilësoi si përpjekje largëpamsëse pakistaneze dhe indiane për të zgjidhur mosmarrëveshjet rreth Kashmirit dhe çështjeve të tjera. Hera e fundit që zoti Pauëll vizitoi këtë rajon, dy fuqitë rivale bërthamore ishin në prag të luftës.

Gjatë një ndalese të shkurtër në Kabul, Sekretari Pauëll pritet të zhvillojë bisedime me presidentin afgan, Hamid Karzai, rreth përpjekjeve të intensifikuara për të kapur udhëheqësin e rrjetit al-Kaida, Osama bin Ladenin, si edhe rreth planeve për zgjedhjet afgane të këtij viti.// lk //

XS
SM
MD
LG