Lidhje

Irak: 11 të vrarë brenda 24 orësh - 2004-03-17


Persona të armatosur në Irak vranë të paktën 11 veta brenda 24 orësh, në sulmet kundër civilëve amerikanë dhe evropianë si dhe kundër irakianëve që punojnë për koalicionin e drejtuar nga Shtetet e Bashkuara.

Tre nga sulmet ndodhën në qytetin verior Mosul. Zyrtarët thonë se të paktën dy policë irakianë u vranë dhe dy të tjerë u plagosën të martën nga persona që hapën zjarr nga një makinë kundër një makine të policisë.

Po të martën, persona të armatosur hapën zjarr kundër një makine në të cilën ndodhej një grua që punonte si përkthyese për personelin ushtarak amerikan. Një person u vra, por ka njoftime kundërthënëse nëse viktima ishte vetë përkthyesja apo një nga të afërmit e saj.

Të hënën, në një sulm të ngjashëm në Mosul, u vranë katër civilë amerikanë që punonin për një organizatë të krishterë ndihmash. Në atë sulm u plagos edhe një qytetar tjetër amerikann.

Në pjesën qendrore të Irakut, zyrtarë suhtarakë dhe të policisë në Hilla, rreth 100 kilometra në jug të Bagdadit, thonë se dy evropianë dhe dy irakianë u vranë të martën në një incident tjetër të shtënash me armë zjarri. Dy evropianët u identifikuan njëri si gjerman e tjetri se hollandez, që të dy inxhinierë që punonin në një projekt ujor në rajon.

Anketë e re: 56% jetojnë më mirë

Sipas një ankete të opinionit publik, organizuar nga grupe të mediave perëndimore, 56 përqind e irakianëve thonë se tani jetojnë më mirë sesa para luftës. Por më pak se 50 përqind e tyre thonë se ishin dakord me luftën e udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara për përmbysjen e Sadam Huseinit.

Sipas anketës, ndërsa shumë irakianë thanë se jetesa e tyre është përmirësuar, 85 përqind mbeten të shqetësuar rreth gjendjes së sigurisë. Pak më shumë se 50 përqind e të pyeturve u shprehën kundër pranisë së forcave të koalicionit, por vetëm 15 përqind e tyre thonë se këto forca duhet të largohen tani nga Iraku.

Shumica e irakianëve thanë se duan që vendi i tyre të jetë demokratik, i bashkuar dhe me një qeveri qëndrore. Anketa e opinionit u organizua nga rrjeti televiziv amerikan ABC, rrjeti britanik BBC, dhe rrjeti gjerman ARD.

XS
SM
MD
LG