Departamenti amerikan i Shtetit dënoi të mërkurën dhunën në Kosovë, si pasojë se së cilës në Mitrovicë u vranë të paktën 14 vetë dhe mbi 250 të tjerë u plagosën gjatë përleshjeve mes shqiptarëve dhe serbëve. Mes të plagosurve ishin edhe 11 paqeruajtës të NATO-s.
Në një njoftim për shtypin, Departamenti i Shtetit u bëri thirrje gjithë banorëve të Kosovës të rivendosin qetësinë, t’i japin fund bllokimit të rrugëve dhe të ndërpresin çdo lloj veprimi të dhunshëm.
Departamenti i Shtetit u bën thirrje udhëheqësve të Kosovës të ushtrojnë ndikimin e tyre që banorët të shmangin dhunën dhe t’i shprehin pikëpamjet e tyre përmes rrugëve paqësore.
Banorët e Kosovës, thuhet më tej në njoftimin e Departamentit të Shtetit, duhet të respektojnë KFOR-in, policinë ndërkombëtare, Shërbimin Policor të Kosovës dhe të bashkëpunojnë me përpjekjet ndërkombëtare për hetImin e rastit të mbytjes së të rinjve shqiptarë në Mitrovicë, si dhe plagosjen e të riut serb dje në Caglavicë.
Departamenti i Shtetit u bën thirrje udhëheqësve rajonalë dhe organeve të shtypit të reagojnë me përgjegjshmëri, të raportojnë me saktësi dhe të mbështesin rikthimin e rendit në Kosovë.
Qeveria amerikane u shpreh ngushëllimet e saj familjeve të tre fëmijve shqiptarë që u mbytën në lumë. Po ashtu qeveria amerikane shpreh keqardhje për plagosjen e të riut serb të hënën dhe uron shërimin e tij të shpejtë.
Shkallëzimi i dhunës thuhet në njoftimin e Departamentit të Shtetit duhet të përfundojë. Dhuna kërcënon procesin e demokratizimit dhe pajtimit në Kosovë dhe vë në rrezik vetë të ardhmen e Kosovës.
Ndërkohë, Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Kofi Annan, u bëri thirrje dje vonë të gjitha palëve që të ndalojnë menjëherë dhunën, e cila, tha ai, rrezikon qëndrueshmërinë dhe sigurinë në Kosovë.
Përfaqësuesi i posaçëm i OKB-së për Kosovën, Harri Holkeri, e cilësoi ditën e djeshme një ditë të zezë për Kosovën. Ai u bëri thirrje njerzve që të kthehen në shtëpi dhe të lejojnë paqëruajtësit të bëjnë punën e tyre.
Dhuna në Mitrovicë shpërtheu pasi zyrtarët gjetën trupat e dy fëmijëve shqiptarë, të cilët u mbytën të martën në lumë pasi thuhet se ishin ndjekur nga banorët sërbë të qytetit. Një fëmijë tjetër ende nuk është gjetur.
Njerëzit filluan të mblidheshin rreth urës që ndan komunitetet shqiptare dhe sërbe të Mitrovicës, ndërsa trupat paqeruajtëse të NATO-s përdorën gaz lotsjellës dhe plumba kauçuku për të kontrolluar turmën e zemëruar.
Mitrovica ka qënë vazhdimisht skenë e dhunës midis serbëve dhe shqiptarëve. Lumi Ibër ndan qytetin në sektorin e populluar me sërbë në veri dhe atë të banuar nga shqiptarët në jug të lumit.
Njoftohet gjithashtu se trazira mes sërbëve dhe shqiptarëve ka patur edhe në qytetin jugor të Çagllavicës në afërsi të Prishtinës.
Të hënën, një fëmijë sërb u plagos me armë zjarri nga një makinë në ecje në qendër të Kosovës. Qindra fshatarë bllokuan rrugët, vunë zjarre dhe hodhën gurrë kundër paqeruajtësve të NATO-s për të protestuar kundër të shtënave.
//ze//