Lidhje

Qeveria shqiptare bën thirrje për uljen e tensioneve në Kosovë - 2004-03-18


Presidenti Alfred Moisiu, parlamenti, qeveria e kryeministrit Nano, ministria e jashtme dhe drejtuesit e forcave kryesore politike në vend, vazhdojnë të reagojnë ndaj zhvillimeve shqetësuese në Kosovë dhe tensionit që ka shoqëruar dy ditët e fundit. Në mbledhjen e qeverisë kryeministri Fatos Nano tha sot se veprimet e djeshme në Kosovë bien ndesh me ecurinë pozitive dhe progresin e arritur në drejtim të bashkëjetesës në paqe e demokraci. Ato janë veprime që pengojnë e vonojnë procesin e pakthyeshëm të përmbushjes së standarteve për përcaktimin e statusit përfundimtar dhe janë shans më shumë për të rizgjuar nacionalizmat ekstreme të cilat vecanërisht shqiptarët tha ai i kanë paguar shtrenjtë.

Kryeministri Nano u shpreh dhe një herë kundër qëndrimeve zyrtare të Beogradit për ndarje të Kosovës: “ne ridënojmë me forcë çdo shfaqje apo nxitje qendrimesh që rinxjerrin dhe riaktivizojnë skenarët anakronikë të ndarjes midis komuniteteve apo njerëzve përmes parcelizimeve të Kosovës apo më gjërë në kantone, krahas dënimit të artikulimit të pretencave të paragjykuara që kërkojnë të ekstremizojnë me çdo kusht shqiptarët si elementë tërroristë a separatistë”

Sipas kryeministrit Nano, situata e krijuar në Kosovë është rezultat edhe i mbajtjes ngritur të strukturave paralele, administrative e paraushtarake: “Ne kërkojmë që të kuptohet nga të gjithë se ajo që ndodhi gjatë orëve të fundit në Kosovë, nuk është rezultat i bashkëjetesës, por pikërisht i mosangazhimit, i mosveprimit apo sabotimit të bashkëjetesë, është rezultat i mbajtjes ngritur të strukturave paralele administrative a paraushtarake që vazhdojnë të ushqejnë izolimin etnik apo të nxisin valë të reja spastrimesh në funksion të ndarjes së Kosovës”.

Nga ana e tij edhe presidenti Alfred Moisiu nëpërmjet kontakteve telefonike që ka patur mbrëmë me kryeadministratorin Harri Holkeri dhe presidentin Ibrahim Rugova ka dënuar veprimet e ekstremistëve duke nënvizuar shqetësimin se zgjatja e gjendjes së papërcaktuar u jep fushë këtyre veprmeve. Presidenti ka deklaruar se uron që edhe Beogradi të kuptojë atë që po ndodh dhe të kontribuojë pozitivisht për dhënien fund të kësaj situate.

Edhe parlamenti shqiptar doli sot me një deklaratë të vecantë në të cilën bëhej thirrje që të kapërcehej sa më parë situata e krijuar në emër të paqes, stabilitetit dhe bashkëpunimit dhe të ardhmes euroatlantike të Kosovës. Parlamenti ka shprehur besimin se provokatorët, organizatorët dhe shkaktarët e gjakderdhjes do të vihen shumë shpejt para ligjit për të rikthyer sa më parë në normalitet jetën në Kosovë.

Edhe partitë politike shqiptare kane shprehur shqetësim për zhvillimet e atjeshme. Partia demokratike i ka bërë thirrje shqiptarëve dhe gjithë qytetarëve të Kosovës të vetpërmbahen dhe të mos kontribuojnë në përshkallëzimin e mëtejshëm të dhunës. //rd//

XS
SM
MD
LG