Lidhje

Seancë dëshmish në Kongres mbi gjendjen në Serbi dhe Mal të Zi - 2004-03-18


Komisioni i Dhomës së Përfaqësuesve për Marrëdhëniet me Jashtë zhvilloi dje një seancë dëshmish lidhur me gjendjen në Serbi pas zgjedhjeve të dhjetorit. Në diskutim dëshmuan zonja , Zëvendës-ndihmëse Sekretare e Shtetit për Evropën dhe Euroazinë Kathleen Stevens e cila tha se Washingtoni është i vendosur të bashkëpunojë me Kombet e Bashkuara, për realizimin e një të ardhmeje të sigurtë dhe demokratike për të gjithë qytetarët e Kosovës.

Zëvendës-ndihmëssekretarja Stevens tha se ndihmat amerikane për Serbinë do të varen nga bashkëpunimi i Beogradit me gjykatën e Hagës.

Zonja Stevens tha se si anëtare e OKB-së, Serbia ka detyrimin të bashkëpunojë plotësisht me Gjykatën e Hagës. Bashkëpunim, tha ajo do të thotë të bëhen përpjekje të plota për t’i gjetur, arrestuar dhe transferuar personat e akuzuar për krime lufte.

Lidhur me Kosovën, zonja Stevens tha se Shtetet e Bashkuara po i përqëndrojnë përpjekjet në përmbushjen e 8 standarteve të caktuara nga OKB-ja, si tepër të rëndësishme për zhvillimin demokratik të Kosovës.

"Në se kur të bëhet rishikimi i standarteve në mes të vitit 2005, ato do të vlerësohen si pozitive, atëhere bashkësia ndërkombëtare duhet të jetë e përgatitur të fillojë procesin për statusin përfundimtar të Kosovës. Në se arritjet vlerësohen si negative,- tha zonja Stevens,- atëhere do të caktohet një afat tjetër për rishikimin e tyre."

"Ne u bëjmë thirrje të gjithë qytetarëve të Kosovës të bashkëpunojnë plotësisht me UNMIK-un, K-FOR-in dhe Shërbimin policor të Kosovës, në mënyrë që personat që kanë kryer krime të nxirren para drejtësisë dhe që të gjithë banorët e Kosovës të gëzojnë të drejtën për të jetuar në një vend të sigurtë", - tha zonja Stevens.

Svetovar Stijanoviç, president i Qendrës serbo-amerikane në Serbi, tha se formula e Perëndimit ”standartet para statusit” eshte shumë abstrakte për publikun, si dhe për të eliminuar rrezikun e madh për jetën e popullsisë jo-shqiptare. Zoti Stijanoviç tha se Kosova duhet të shpallet krahinë autonome, nën protektoratin e Serbisë, me një qeveri të decentralizuar, e cila të sigurojë mbrojtjen e të gjithë banorëve, insitucioneve dhe objekteve të saj kulturore e fetare.

Daniel Serwer, drejtor i Iniciativës Ballkanike në Insitutin e Paqes tha se pas zgjedhjeve të dhjetorit, Serbia ka hyrë në një rrugë të papëlqyeshme, e cila nuk i shërben interesave të saj. Është në interesin e Serbisë, tha zoti Serwer, që të mbajë përgjegjësi për krimet e kryera në të kaluarën.

"Një Serbi, e cila nuk pranon të bashkëpunojë me Hagën, nuk mundet të hyjë në NATo dhe në Bashkimin Evropian. Një Serbi, e cila nuk pranon autoritetin e OKB-së në rajonet e banuara nga serbët e Kosovës, siç e kërkon rezolurta 1244, një Serbi e cila i kufizon serbët e Kosovës të marrin pjesë në procesin për përmbushjen e standarteve do të thotë se nuk dëshiron t’i zgjidhë problemet, por i krijon ato vetë",- tha zoti Serwer.

Zoti Serwer tha se Shtetet e Bashkuara kanë ndjekur një politikë të butë me Serbinë, por kjo politikë, tha ai, ka dështuar. Uashingtoni tha zoti Serwer, duhet ta gjykojë Serbinë jo nga qëllimet, apo premtimet, por nga veprimet e saj.

//rd//

XS
SM
MD
LG