Lidhje

Surroi: Ngjarjet e fundit mund të çojnë në ndarjen e Kosovës - 2004-03-19


Trazirat e këtyre ditëve në Kosovë ishin të pritshme për një pjesë të analistëve dhe të papritura për një pjesë tjetër. Por si i shohin vetë analistët nga Kosova këto zhvillime? Botuesi i gazetës Koha Ditore, Veron Surroi dha një intervistë për Zërin e Amerikës lidhur me gjendjen e krijuar.

Zëri i Amerikës:Zoti Surroi duket se gjendja sot në Kosovë ka qënë disi më e qetë. A mund të thuhet se kriza po kapërcehet, apo kjo është një qetësi e rreme dhe ende ekziston rreziku që gjendja të dalë jashtë kontrollit?

Veton Surroi: Unë mendoj se është inkurajuese kjo që po ndodh sot, por do të thoja që intensiteti që pamë këto dy ditët e kaluara, ishte i atillë, që duhet që të gjithë faktorët relevantë, qoftë të sigurisë, qoftë të politikës, të kenë kujdesin maksimal dhe të japin përkushtimin e tyre maksimal.

Zëri i Amerikës: Zoti Surroi, disa vëzhgues, simdomos vëzhgues nga jashtë, thonë se trazirat e këtyre ditëve ishin të organizuara, se ato përfaqësojnë një përpjekje për të spastruar pjesën e Kosovës në jug të Mitrovicës nga banorët serbë dhe për spastrimin e shqiptarëve nga zona veriore e saj që do të çonte drejt një zgjidhjeje përfundimtare të ndarjes së Kosovës. Si i shikoni ju këto zhvillime dhe si i komentoni këto opinione?

Veton Surroi: Mendoj se reagimi i parë ka qenë spontan. Gjegjësisht qytetarët kanë reaguar spontanisht me atë që kanë parë, si një incident shumë i rëndë me vrasjen e tre fëmijëve në Çabër. Mirëpo pastaj është derdhur mllefi në një formë revolte dhe kemi arritur po ashtu në fazën e tretë dhe kjo është drejtimi i revoltës, drejtimi i mllefit të qytetarëve nga qarqe të caktuara për qëllime të vetat politike. Këto kryesisht janë drejtuar në fazën e vet të fundit drejt minoritetit serb në Kosovën qendrore dhe drejt objekteve të tyre religjioze, si kishave. Kemi patur djegie të shtëpive dhe të kishave. Efekti i këtij vandalizmi të thellë njerëzor, antikulturor, anticivilizues, do të thoja, është efekti i spastrimit etnik dhe kemi tani në Kosovë një situatë jashtëzakonisht të vështirë, e cila çon drejt copëtimit të Kosovës, drejt ndarjes së Kosovës, gjegjësisht çon drejtpërsëdrejti në drejtim të opsionit që kanë prezantuar liderët konservatorë serbë prej kohësh.

Zëri i Amerikës: Zoti Surroi, po flitet shumë për “paaftësinë” e udhëheqësve shqiptarë për ta kontrolluar gjendjen. Si e cilësoni ju rolin që kanë luajtur udhëheqësit shqiptarë deri tani dhe pse mendoni se ata nuk kishin ndikimin e duhur mbi popullsinë për të ulur tensionet?

Veton Surroi: Arsyet janë të ndërthurta. Ajo që është e qartë është se ditët e para të revoltës, as autoritetet politike të Kosovës e as UNMIK-u nuk kishin kapacitet të mjaftueshëm, nuk kishin autoritet për të ndaluar këto zhvillime dhe kjo flet bukur qartë për zvetënimin e institucioneve të Kosovës, si edhe ato të UNMIK-ut. Ne kemi këtu në fakt, një koalicion të çuditshëm mes UNMIK-ut dhe institucioneve kosovare. Ato nuk e lënë njëra-tjetrën të bëjnë punë siç duhet dhe e vënë njëra-tjetrën në një pozitë të tillë që asnjëra në fakt, të mos ketë ndikimin e vet përfundimtar. Doja të theksoja këtu në këtë analizë pozicionin e kryeministrit Rexhepi, i cili ndonëse nuk ka në realitet shumë kompetenca, megjithatë tregoi së bashku me disa prej ministrave të qeverisë së tij, zotin Çeku, zotin Brajshori, zotin Krasniqi dhe të tjerë, vullnetin e tyre të mirë për të dalë, për të biseduar drejtpërsëdrejti me demonstruesit për t’i ndalur këto demonstrata. Zoti Rexhepi ka mbajtur një ritëm të angazhimit, i cili më shumë se me kompetenca kishte të bënte me një vullnet të tij personal, një sinqeritet të tij prej qytetari të Mitrovicës për të ndalur këto veprime.

Zëri i Amerikës: Zoti Surroi, sa të dëmshme kanë qenë këto trazira për Kosovën, duke marrë parasysh dënimin pothuajse në përgjithësi nga komuniteti ndërkombëtar i ngjarjeve të fundit?

Veton Surroi: Pasojat e këtyre ngjarjeve do të jenë aq të dëmshme sa do të kemi aq shumë kohë t’i analizojmë. Kemi të bëjmë jo vetëm me prishjen e rendit, e bashkëpunimit me bashkësinë ndërkombëtare, kemi të bëjmë me një kthesë mbrapa në drejtim të marrëdhënieve ndëretnike dhe përpjekjes për integrimin e minoritetit serb. Kemi të bëjmë me zhbërjen e një procesi të ngritjes së institucioneve të Kosovës. Pra pasojat janë nga çdo anë që t’i shohësh janë negative. Natyrisht kemi të bëjmë me një imazh krejtësisht të ri, të cilin kurrë nuk e kemi pasur në Kosovë e ky është dëmtimi i objekteve religjioze. Shqiptarët e Kosovsës janë të njohur si popull i cili i ka ruajtur monumentet religjioze dhe kulturore edhe në kohë edhe më të vështira siç janë këto të tanishmet. Kështu që për herë të parë paraqitemi edhe si shkatërrues të objekteve kulturore dhe religjioze. Këto janë gabime të pafalshme të atyre grupeve që i kryen. Por unë mendoj se edhe nga situatat shumë të vështira duhet të dilet, duhet të dilet me një kocept të ri, duhet të dilet me një konsensus të ri të kosovarëve, me një politikë e cila në mënyrë drastike do të jetë shumë më e avancuar sesa ç’është tani.

//rd//

XS
SM
MD
LG