Lidhje

Haradinaj: Revolta për kushtet e vështira, u shfrytëzua nga struktura të jashtme - 2004-03-20


Dhuna e ditëve të fundit në Kosovë ngre një sërë shqetësimesh serioze për marrëdhëniet midis shqiptarëve dhe serbëve, dhe sipas vëzhguesve, vë në pikëpyetje mundësinë e krijimit të një shoqërie shumë-etnike atje. Por në një intervistë për Zërin e Amerikës, kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj tha se trazirat u shfrytëzuan nga persona të inflitruar dhe se marrëdhëniet mes shqiptarëve dhe serbëve nuk janë dëmtuar.

Zëri i Amerikës: Zoti Haradinaj, një nga pyetjet që po shtrohet shpesh këto ditë është: si shpjegohet gjithë kjo që ka ndodhur në Kosovë? Edhe në momentet më dramatike të historisë së Kosovës, shqiptarët nuk janë njohur si sulmues të trashëgimisë kulturore dhe fetare serbe në atë vend.

Ramush Haradinaj: Është e vërtetë që populli i Kosovës në historinë e vet nuk ka ngjarje të tilla. Mendoj se para së gjithash është mirë të theksohet se ajo që ndodhi në Kosovë, në radhë të parë ishte një revoltë qytetare për gjendjen në të cilën ndodhen njerëzit në Kosovë, një gjendje që do ta quaja të status-quo-së, ndërsa kjo revoltë mori përmasa të dëmshme dhe sidomos ndodhën edhe vepra kriminale të sulmit në pronë, të sulmit në pjesëtarë të pakicës serbe, por edhe deri tek dëmtimi i objekteve kulturore. Këto vepra kriminale janë kryer nga individë të infiltruar në këto protesta qytetare, të cilët jam i bindur që për këto veprimtari do të ndodhen para drejtësisë.

Zëri i Amerikës: Zoti Haradinaj, prej kohësh udhëheqësit shqiptarë të Kosovës flisnin për përparim në marrëdhëniet etnike dhe për përpjekjet e tyre për të krijuar kushte të barabarta për komunitetin serb. Kritikët tani thonë se këto trazira dëshmojnë se shqiptarët dhe udhëheqësit e tyre nuk janë me të vërtetë të interesuar për një shoqëri shumëetnike në Kosovë? Si u përgjigjeni këtyre kritikave?

Ramush Haradinaj: Ne jemi të vendosur që të ndërtojmë një Kosovë me rend demokratik, një shoqëri për gjithë qytetarët e Kosovës dhe edhe për serbët e Kosovës. Kjo është dëshmuar në angazhimet tona të deritanishme, kemi edhe progres të arritur në Kosovë bashkë me bashkësinë ndërkombëtare dhe kjo u vërtetua edhe në menaxhimin e kësaj krize që goditi Kosovën këto ditë, me një bashkëpunim shumë të mirë të të gjitha autoriteteve vendore dhe ndërkombëtare. E vërteta është se ne kemi hasur në pengesa të shumta deri më tani. Disa nga këto pengesa janë serioze, sikurse janë strukturat paralele dhe ndikimi i tyre tek vetë qytetarët serbë në Kosovë.

Zëri i Amerikës: Zoti Haradinaj, sa i madh është dëmi që u është shkaktuar marrëdhënieve me komunitetin ndërkombëtar?

Ramush Haradinaj: Besoj se kjo revoltë, e kam thënë edhe në rrethana të tjera, në asnjë mënyrë nuk është revoltë, apo shprehje e një urrejtjeje ndaj bashkësisë ndërkombëtare, as ndaj KFOR-it, as ndaj UNMIK-ut, apo rolit të bashkësisë ndërkombëtare në Kosovë. Kjo revoltë mendoj para së gjithash është revoltë e njerëzve për gjendjen që ndodhen: një situatë e rëndë ekonomike, një gjendje e rëndë sociale, e dimë që procesi i privatizimit është në ngecje, pastaj një pasiguri politike e duke i shtuar kësaj edhe propozimet që vijnë nga qeveria e Beogradit për kantonizim dhe veprime të tjera, që gjithsesi kanë qenë të vështira për ne në Kosovë dhe janë. Mendoj se marrëdhëniet mes njerëzve nuk janë dëmtuar, nuk janë dëmtuar marrëdhëniet mes popullatës, midis shqiptarëve dhe pakicave, mendoj as me qytetarët serbë të Kosovës. Por ajo që ka ndodhur është një konfrontim deri diku edhe me përpjekjet për veprime të brendshme në Kosovë nga struktura që ne i quajmë struktura paralele, kur dihet se edhe kronologjikisht këto trazirat e fundit, si pikënisje kishin një ngjarje makabër, pra mbytjen e tre fëmijëve nga fhsati Çabër në lumë.

Zëri i Amerikës: Zoti Haradinaj, cila është detyra kryesore, përparësia kryesore e udhëheqësve shqiptarë në ditët që vijnë?

Ramush Haradinaj: Ne me vendosmëri edhe gjatë konsultave të deritanishme me autoritetet vendore, i premtojmë popullit të Kosovës një plan emergjent për tejkalimin e pasojave që shkaktuan trazirat në Kosovë. Po ashtu ne jemi të vendosur që të vendosim rendin dhe ligjin dhe të sundojë ligji në Kosovë dhe po ashtu ne besojmë se me mobilizim, me energji të reja, ne do të përshpejtojmë realizimin e standardeve, në përputhje me planin e standardeve për Kosovën. Vështirësi të theksuara për t’i përshpejtuar këto veprime, kemi me vonesën e planit për zbatim. Sikurse dihet, plani për zbatimin e standardeve është duke u vonuar edhe më tutje.//kk//

XS
SM
MD
LG