Lidhje

Presidenti Bush zhvilloi tubimin e parë në kuadër të fushatës së tij në këtë vit zgjedhjesh - 2004-03-21


Presidenti Bush e filloi fushatën e tij për t’u rizgjedhur para përkrahësve të tij, që valvisnin flamurë dhe thërrisnin “edhe 4 vjet të tjerë.”

I shoqëruar në podium nga vëllai i tij, guvernatori i Floridës, Jeb Bush, presidenti tha se votuesit kanë një zgjedhje të qartë për të bërë në nëntor midis vazhdimit të rolit të tij udhëheqës ose kandidatit të partisë demokrate, senatorit nga shteti Masachusets, John Kerry.

“Kemi të bëjmë me një zgjedhje midis shkurtimit të taksave, që po i japin shtytje ekonomisë, ose rikthimin e barrës së taksave më të larta tek populli amerikan. Kemi të bëjmë me një zgjedhje midis një Amerike që udhëheq botën me vendosmëri dhe bindje ose një Amerike që është e pasigurtë përballë rrezikut.”

Presidenti Bush ia kushtoi pjesën më të madhe të tubimit të parë të fushatës duke kritikuar të kalurën e senatorit Kerry në senat, për të cilën ai tha se tregon që rivali i tij demokrat shpesh ndryshon mendim lidhur me çështje të rëndësishme të sigurimit dhe ekonomisë.

“Lidhur me sigurimin kombëtar, amerikanët janë përpara zgjedhjes ndoshta më të qartë. Kundërshtari im thotë se i miraton veprimet e guximshme në botë, por vetëm në qoftë se vende të tjera nuk kundërshtojnë. Unë mbështes plotësisht veprime të njëzëdhme, ashtu si edhe 34 vendet partnere në koalicionin tonë, që kanë forca tani në Irak.”

Presidenti Bush tha se shkurtimi rekord i taksave, i miratuar prej tij, po e ndihmon ekonominë amerikane, duke bërë që konsumatorët të mbajnë më shumë para nga rrogat e tyre, ndërkohë që shpenzimet e tyre stimulojnë zhvillimin e mëtejshëm ekonomik. Ai e cilësoi senatorin Kerry si “një prej kundërshtarëve kryesorë në kongresin amerikan ndaj shkurtimit të taksave.”

Demokratët thonë se shkurtimet e taksave të miratuara nga presidenti Bush favorizojnë në mënyrë të padrejtë amerikanët më të pasur dhe po shkaktojnë deficite shumë të mëdha të buxhetit federal.

Dje, në fjalimin e përjavshëm në radio për partinë demokrate, guvernatorja e shtetit Michigan, Jennifer Granholm, fajësoi presidentin për humbjen e 3 milion vendeve të punës që kur ai filloi nga detyra.

“Shtëpia e Bardhë vazhdon të negociojë marrëveshje tregëtare pa standarte esenciale mbi punën dhe mjedisin; marrëveshje tregëtare që shpejtojnë eksportimin e vendeve të punës të amerikanëve në vende të tjera. Republikanët po shkurtojnë fondet për kurse kualifikimi dhe rikualifimi për punëtorët, që humbasin vendin e punës.”

Po dje, në fjalimin e tij të përjavshëm në radio, presidenti Bush shënoi përsëri një vjetorin e fillimit të luftës në Irak.

“Çlirimi i Irakut ishte pozitiv për vetë Irakun, për Amerikën dhe të gjithë botën. Përmbysja nga pushteti e diktatorit irakian ka eliminuar një burim dhune, agresioni dhe paqëndrueshmërie nga Lindja e Mesme.”

Presidenti Bush tha se Shtetet e Bashkuara nuk do të shkurajohen nga sulmet terroriste dhe nuk do të lëkunden në vendmërinë e tyre për të luftuar terrorizmin.

//ze//

XS
SM
MD
LG