Lidhje

Një analist serb thotë se politika e standardeve për Kosovën është e tejkaluar - 2004-03-21


Svetozar Stojanovich, drejtor i qendrës serbo-amerikane në Beograd thotë se politika e standardeve për Kosovën mund të quhet tashmë e tejkaluar. Pas qetësimit të gjendjes, thotë ai, duhet të fillojë procesi i përcaktimit të statusit përfundimtar të Kosovës, që sipas tij duhet të jetë një rajon autonom brenda Serbisë. Në një intervistë me Zërin e Amerikës, zoti Stojanovich tha se sheh një shpresë pajtimi për shqiptarët dhe serbët në Kosovë, por jo në të ardhmen e afërt.

Zëri i Amerikës: Zoti Stojanoviç, çfarë mendoni për gjendjen e krijuar në Kosovë, pas ngjarjeve të ditëve të fundit?

Svetozar Stojanovich: Ajo që ndodhi është pa dyshim një terror i tmerrshëm në masë dhe përpjekje për të dëbuar serbët dhe banorët e tjerë jo shqiptarë nga Kosova dhe për të krijuar një territor etnikisht homogjen dhe kështu mendoj se çdo njeri do të kishte një reagim negativ.

Zëri i Amerikës: Çfarë parashikoni se do të ndodhë pas këtyre ngjarjeve të fundit?

Svetozar Stojanovich: Së pari duhen bërë përpjekje për t’u qetësuar dhe për të ndaluar asgjësimin e serbëve dhe jo shqiptarëve në Kosovë dhe pastaj të fillohet të punohet për një zgjidhje politike për një provincë autonome të Serbisë, sepse sipas rezolutës 1244 parashikohet një provincë autonome e Serbisë ligjërisht, megjithëse de facto nuk kemi ndonjë kontroll.

Zëri i Amerikës: A mendoni se është realiste një gjë e tillë? A mund të pranohet një gjë e tillë nga komuniteti ndërkombëtar?

Svetozar Stojanovich: Kjo është rezoluta 1244, të cilën të gjithë janë të detyruar ta zbatojnë. Nëse do të flasim për një zgjidhje politike, kjo është një çështje tjetër, por unë jam pa diskutim në favor të bisedimeve të paanshme dhe negociatave, por mua më duket se disa njerëz nga pala shqiptare kanë iluzionin se në një farë mënyre komuniteti ndërkombëtar dhe Kombet e Bashkuara po mbështet thjesht shkëputjen e tyre. Kjo nuk është e vërtetë, është një iluzion. Pra ne duhet të flasim seriozisht për një zgjidhje politike brenda kuadrit ligjor ndërkombëtar që është përcaktuar. Kur bëhet fjalë për standardet, këtij formulimi i ka ikur tashmë koha dhe vetë zyrtarët amerikanë e kanë thënë një gjë të tillë, sepse për çfarë standardesh flitet, kur rrezikohet mbijetesa dhe ekzistenca e njerëzve? Kështu që le ta shohim realitetin në sy dhe e vërteta është që po vriten njerëz, ekzistenca e atyre që nuk janë vrarë apo plagosur është në rrezik. Kështu që mjaft me ato që unë i quaj gënjeshtra abstrakte, siç janë standardet.

Zëri i Amerikës: Mendoni se ka shpresa për pajtimin e dy komuniteve, shqiptarëve dhe serbëve në të ardhmen?

Svetozar Stojanovich: Sigurisht që unë shikoj një farë shprese në të ardhmen e largët. Por të flasësh për pajtim ndërkohë që njerëzit po vriten, nuk bëhet fjalë. Por ne duhet të punojmë për pajtimin në të ardhmen.//kk//

XS
SM
MD
LG