Lidhje

Mijëra palestinezë marrin pjesë në varrimin e udhëheqësit të Hamasit - 2004-03-22


Dhjetra mijëra palestinezë marshuan në qytetin e Gazës duke kërkuar hakmarrje kundër Izraelit gjatë ceremonisë së varrimit të themeluesit dhe udhëheqësit shpirtëror të Hamasit, Sheikut Ahmed Yassin, i cili u vra sot nga forcat izraelite.

Luftëtarë të armatosur të Hamasit shoqëruan arkivolin e Sheik Yassinit në rrugët e qytetit. Protesta u zhvilluan në mbarë Rripin e Gazës dhe Bregun Perendimor gjatë së cilave të paktën 4 palestinezë u vranë në përleshje me trupat izraelite. Sheiku Yassin u vra nga raketat e helikopterëve izraelitë kur po dilte nga një xhami e Qytetit të Gazës në karrigen e tij të invalidit pas lutjeve të pasdites.

Palestinezët thonë se edhe 7 persona të tjerë humbën jetën, përfshirë 2 truproje të sheikut.

Izraeli thotë se e vrau sheik Yassinin pasi ai ishte përgjegjës për shumë sulme vetëvrasëse kundër izraelitëve. Kryeministri Ariel Sharon përgëzoi ushtrinë për vrasjen e njeriut që ai e cilësoi si udhëheqësin kryesor të vrasësve terroristë palesinezë.

Autoriteti palestinez e dënoi vrasjen duke e quajtur atë një akt të rrezikshëm dhe prej frikacakësh. Kryeministri palestinez Ahmed Qureia tha se vrasja i hap dyert kaosit ndërsa presidenti palestinez Yasser Aarafat shpalli tri ditë zi për udhëheqësin e vrarë të Hamasit.

Ndërkohë, Shtëpia e Bardhë thotë se nuk kishte marrë njoftim paraprak për planet e Izraelit për të vrarë sheikun Ahmed Jasin.

Zyrtarët amerikanë u bëjnë tani thirrje të gjitha palëve të tregojnë vetë-përmbajtje.

Këshilltarja e Sigurimit Kombëtar Kondoliza Rajs tha se Shtetet e Bashkuara nuk kishin marrë njoftim paraprak për vrasjen e sheikut.

E intervistuar sot nga rrjeti televiziv NBC, zonja Rajs i mohoi njoftimet se presidenti Bush ishte informuar nga udhëheqësit izraelitë për sulmin.

“Le të mos harrojmë se Hamasi është një organizatë terroriste dhe se sheiku Jasin, është angazuar personalisht, për mendimin tonë, në planifikimin e sulmeve terroriste. Por Shtetet e Bashkuara nuk kishin njoftim paraprak për vrasjen e tij.”-thotë zonja Rajs.

Zonja Rajs nuk e dënoi sulmin kundër udhëheqësit shpirtëror të grupit Hamas, i cili u vra së bashku me 7 persona të tjerë, ndërsa po largohej nga një xhami sot herët në mëngjes në Rripin e Gazës. Megjithatë, ajo u bëri thirrje izraelitëve dhe palestinezëve të ruajnë qetësinë dhe të përqëndrohen në përpjekjet për të çuar përpara procesin e paqes.

“Gjithmonë ekziston mundësia për ditë më të mira në Lindjen e Mesme dhe ato që ka thënë Izraeli për t’u tërhequr nga disa territore mund të krijojnë mundësi të reja. Unë do të shpresoja që të mos ndodhte gjë që do t’i prngonte këto mundësi të reja.”,- thotë zonja Rajs.

Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë Scott McClellan foli në të njejtën linjë disa orë më vonë gjatë konferencës së shtypit, duke theksuar se adminsitrata e presidentit Bush po punon si me izraelitët, edhe me palestinezët për arritjen e një zgjidhjeje që synon krijimin e dy shteteve.

Zëdhënësi shtoi se administrata është në kontakt të vazhdueshëm me të gjitha palët në rajon, por ai po ashtu i mohoi zërat se Shtëpia e Bardhë i kishte hapur në një farë mënyre dritën jeshile Izraelit për të vrarë udhëheqësin shpirtëror të grupit Hamas. Ashtu siç u shpreh zëdhënësi, “Shtëpia e Bardhë nuk është polic trafiku që hap ose mbyll dritat”.// lk //

XS
SM
MD
LG