Lidhje

Dëshmi publike për sulmet e 11 shtatorit - 2004-03-24


Bashkë-kryetarët e komisionit, që hetoi sulmet terroriste të 11 shtatorit kundër Shteteve të Bashkuara, folën me gazetarët në përfundim të një seance 2-ditore dëshmish nga zyrtarë dhe ish zyrtarë amerikanë.

Ish guvernatori Thomas Keane e filloi deklaratën për mjetet e informimit në këtë mënyrë.

“Ne mësuan rreth dështimeve sistematike. Pati komunikim të dobët midis agjencive të rendit dhe atyre të zbulimit. Madje pati komunikim të dobët brënda FBI-së.”

Ish anëtari i kongresit amerikan, Lee Hamilton, tha se departamenti i shtetit dhe departamenti i mbrojtjes në administratën e presidentit Clinton dhe në administratën e tanishme të presidentit Bush morën shumë masa kundër terrorizmit. Megjithatë, shtoi ai, është e qartë se vemendja nuk u përqëndrua aty ku duhej.

“Ne na u la gjithashtu përshtypja se përparësitë e sigurimit kombëtar të të dy administratave u përqëndruan kryesisht diku gjetkë.”

Të dy kryetarët e komisionit përsëritën kërkesën e tyre që këshilltarja e presidentit Bush për çështjet e sigurimit kombëtar, Condoleezza Rice, të bjerë dakord të dëshmojë në publik, diçka që deri tani ajo e ka kundërshtuar.

Zoti Keane tha se politikat partiake nuk do ta pengojnë komisionin, që është i ndarë midis republikanëve dhe demokratëve, që të shkruajë raportin përfundimtar, i cili duhet të publikohet në muajin korrik.

Ndërkohë, Drejtori i Agjencisë Qendrore të Zbulimit, CIA-s, Xhorxhe Tenet, tha dje para komisionit të pavarur që po bën hetime për sulmet terroriste të 11 shtatorit në Shtetet e Bashkuara, se Al-Kaida do të përpiqet të kryejë sulme të tjera në Amerikë. Zoti Tenet shtoi se zyrtarët amerikanë kanë nxjerrë tani një mësim të rëndësishëm dhe qeveria mund të përgjigjet tani më mirë, më shpejt dhe me masa të gjithanshme për t’iu kundërvënë planeve të terroristëve në të ardhmen.

Zoti Tenet tha se agjencitë e zbulimi kishin marrë paralajmërime para sulmeve terroriste në Nju Jork dhe Uashington. Por drejtori i CIA-s shtoi se paralajmërimet ishin, sipas fjalëve të tij, “shumë të vërfëra në hollësi që mund të na kishin lejuar të vepronim”.

Burimet e zbulimit, tha ai, linin të kuptohej se ishte duke u përgatitur një sulm jashtë Amerikës, kundër interesave amerikane ndoshta në Lindjen e Mesme.

Zoti Tenet tha se ai nuk beson se sulmet e 11 shtatorit mund të ishin parandaluar në se kreu i Al-Kaidës Osama Bin LAdeni do të ishte kapur apo vrarë para vitit 2001, pasi planet për to tha ai, në atë kohë ishin hartuar.

Duke folur para anëtarëve të komisionit, në prani të anëtarëve të familjeve të viktimave të sulmeve terroriste të 11 shtatorit, zoti Tenet tha se është i shqetësuar që, me kalimin e viteve, njerëzit do të besojnë se rreziku nga sulme terroriste në të ardhmen do të zvogëlohet.

Drejtori i CIA-s tha se terroristët vazhdojnë të thurin plane për të vrarë amerikanë dhe parashikoi sulme të tjera në të ardhmen.

Para komisionit po jep dëshmi edhe ish zyrtari i Shtëpisë së Bardhë kundër terrorizmit, Richard Clarke.

Zoti Clarke ka shkruar një libër ku thotë se Presienti Bush i ka kushtuar pak vëmendje al-Qaidës para 11 shtatorit dhe se ai ishte i përqendruar sëtepërmi në një lidhje të mundshme të saj me Irakun.

Zyrtarë të Shtëpisë së Bardhë i kanë hedhur poshtë me forcë këto pretendime.

//ze//

XS
SM
MD
LG