Ish-presidenti jugosllav Slobodan Millosheviç, kundërshtoi caktimin e një gjykatësi tjetër në procesin ndaj tij për krime lufte. Në seancën e parë pas një muaji ndërprerje, Sllobodan Millosheviçi tha se e konsideronte gjykatën e Hagës të paligjshme dhe si rezultat nuk pranonte të jepte mendime për çështjet e saj administrative.
Gjykatësi Richard May që drejtoi çështjen dy vitet e fundit dha dorehëqjen muajin e kaluar për shkak të problemeve shëndetësore. Gjykatës së Hagës i duhet tani të vendosë nëse do të vazhdojë procesin me një gjykatës të ri, ose ta nisë përsëri nga fillimi gjyqin që ka hyrë tashmë në vitin e dytë.
Shumë vëzhgues mendojnë se gjyqi do të vazhdojë, duke i rifilluar punimet më 8 qershor kur i pandehuri do të paraqesë argumentat mbrojtëse. Gjykata i ka caktuar zotit Millosheviç 90 ditë për të përgatitur mbrojtjen. Ai kërkoi t’i jepen 150 ditë si dhe paraqiti përsëri kërkesën të lihet i lirë, duke thënë se nuk është në gjendje të përgatisë çështjen e tij në qeli.//kk//