Lidhje

Solana: Dhuna kundër serbëve të Kosovës nuk ishte krejtësisht spontane - 2004-03-25


Shefi i politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Havier Solana, tha se udhëheqësit vendorë të Kosovës i shfrytëzuan trazirat me dhunë të javës së kaluar për përfitime personale.

Zoti Solana tha të enjten në Bruksel se dhuna e shqiptarëve kundër serbëve të Kosovës nuk ishte krejtësisht spontane. Ai tha se kishte njerëz të organizuar për të përfituar nga rasti. Zoti Solana nuk dha hollësi për të shpjeguar apo për të mbështetur deklaratat e tij.

Ai hodhi poshtë akuzat se dhuna në rajon ishte pasojë e dështimit të përpjekjeve paqeruajtëse ndërkombëtare.

Në Rusi, Ministria e Jashtme kërkoi sot ndërmarrjen e një fushate kundër ekstremistëve, eliminimin e grupeve të armatosura dhe arrestimin e pjesëmarrësve në përleshjet kundër serbëve. Ajo tha gjithashtu se shtëpitë dhe monumentet kulturore të dëmtuara gjatë trazirave duhen riparuar dhe refugjatët duhet të kthehen në shtëpitë e tyre.

Këshilli i Evropës dhe UNESCO-oja lëshuan të enjten deklarata në të cilat dënohet dhuna.

Dhuna e javës së kaluar shkaktoi vdekjen e 28 vetëve dhe plagosjen e qindra të tjerëve. Mijëra banorë, shumica serbë, mbetën pa strehë. Trazirat shpërthyen kur dy fëmijë shqiptarë u mbytën pasi thuhet se ishin ndjekur nga serbët deri në lumë. //kk//

XS
SM
MD
LG