Lidhje

Konflikti etnik në Serbi - 2004-03-26


Trazirat etnike të javës së kaluar në Kosovë gjatë të cilave humbën jetën 28 veta, shkaktuan protesta më të vogla anti-shqiptare në pjesë të tjera të Serbisë, në të cilat u dogjën xhami në dy qytete. Mirëpo, shpërthimi i dhunës etnike po shqetëson mbrojtësit e të drejtave të njeriut.

Kryetarja e Komisionit të Helsinkit për të drejtat e njeriut në Beograd, Sonja Biserko, ka kritikuar nacionalistët ekstremistë serbë për më shumë se 10 vjet. Por duke qëndruar në zyrën e saj në qendër të Beogradit, zonja Biserko nuk nguron të thotë se dhuna në Kosovë kishte për qëllim të detyronte largimin e serbëve të mbetur në Kosovë nga ky territor, për të cilin kanë pretendimet e tyre të dyja palët, si shqiptatër ashtu edhe sërbët. “Incidentet, që ndodhën në Kosovë javën e kaluar, ishin me sa duket fare mirë të planifikuara, sepse ideja, që fshihej pas incidenteve ishte largimi i popullatës serbe nga zonat, ku ata banojnë në gjithë Kosovën. Megjithatë, unë do të thosha se duke u nisur nga numri i njerëzve që janë larguar nga Kosova, serbët në atë rajon e kundërshtojnë këtë ide. Rreth 3 mijë veta u shpërngulën në pjesën veriore të Kosovës dhe vetëm 80 përqind e tyre kaluan kufirin për në Sërbi.”

Shqiptarët e Kosovës kërkojnë pavarësinë nga Serbia, ndërkohë që sërbët e kundërshtojnë atë. Zonja Biserko mendon se dhuna do ta detyrojë komunitetin ndërkombëtar të vendosë mbi të ardhmen e Kosovës.

Zonjën Biserko e shqetëson fakti që qeveria e re më nacionaliste e Serbisë nuk ka mbajtur një qëndrim mjaft të fuqishëm kundër konfliktit etnik. Ajo thotë se anëtarë të pakicave në Serbi janë të pambrojtura. Madje ajo fajëson qeverinë sërbe për mos parandalimin e shkatërrimit të dy xhamive. “Do të thosha se protestat ishin të organizuara. Ato nuk ishin spontane sepse mjetet e informimit morën pjesë në protestat anti-shqiptare. Ata si të thuash u kërkuan njerzve të dilnin nëpër rrugë. Madje dhe qeveria tha se protestat nuk ishin spontane, por ishin organizuar nga huliganë. Mendoj se kjo nuk merr fund me kaq, sepse policia nuk donte të ndërhynte dhe nuk ndali djegjen e xhamive, megjithëse policia ishte e pranishme. Me rëndësi për t’u theksuar është fakti që këto xhami nuk ishin të shqiptarëve. Ato ishin të myslimanëve dhe të boshnjakëve.”

Serbia ka relativisht një popullsi të madhe pakicë, përfshirë edhe mbi 100 mijë hungarezë etnikë.

Edhe avokati Sllobodan Homen, i cili kundërshton në mënyrë aktive ekstremizmin serb, shqetësohet rreth konfliktit etnik në Serbi. Atë e habit fakti që grumbujt e zemëruar të serbëve sulmuan objekte, që në përgjithësi nuk kanë lidhje me popullsinë shqiptare.

Ndërkohë që djegja e xhamisë së Beogradit çoi në dorëheqjen e shefit të policisë së kryeqytetit, zoti Homen kërkon që të meren masa më të ashpra, si për shembull dorëheqjen e ministrit të kabinetit përgjegjës për forcat policore. Ai tha se qeveria duhet të shqetësohet veçanërisht që kaq shumë protestues anti-shqiptarë ishin nën moshën 25 vjeçare. //rd//

XS
SM
MD
LG