Lidhje

Komisioni që heton sulmet e 11 shtatorit vazhdon punën në një atomosferë polemikash - 2004-03-29


Hetimet ishin tema e ditës, ndërkohë që rrjetet kryesore televizive u përqëndruan në konfliktet ndërmjet administratës së presidentit Bush dhe ish-bashkërenduesit të presidentit për përpjekjet anti-terroriste, Richard Clarke.

Në një libër të tij të ri si dhe në një seancë publike para komisionit ai ngriti akuza se administrata e presidentit Bush nuk i kushtoi vëmendje të mjaftueshme kërcënimit terrorist para sulmeve të 11 shtatorit, pjesërisht pasi ishte e fiksuar tek Iraku.

Administrata e presidentit Bush vazhdoi kundërpërgjigjen, duke dërguar Sekretarin e Mbrojtjes Donald Rumsfeld për të paraqitur argumentat e tyre në një numër intervistash, përfshirë edhe një intervistë me rrjetin televiziv Fox News.

"Ne po mendonim se çfarë do të bënim për al-Kaidën. Çdo sugjerim se administrata nuk ishte e angazhuar do të ishte i pasaktë."

Zoti Rumsfeld ishte një ndër disa zyrtarë të lartë të administratës, të cilët dhanë dëshmi publike javën e kaluar para komisionit. Shumë dëshmitarë të tjerë të rëndësishëm u janë përgjigjur pyetjeve në sesione me dyer të mbyllura para komisionit.

Ndër ta ishte edhe Këshilltarja e Shtëpisë së Bardhë për Sigurimin Kombëtar Condoleeza Rice, e cila u takua me anëtarë të komisionit në një sesion me dyer të mbyllura dhe është shprehur e gatshme për ta bërë përsëri një gjë të tillë. Ajo nuk ka pranuar të dëshmojë në publik, duke thënë se këshilltarët e afërt të presidentit nuk lejohen ta bëjnë një gjë të tillë para komisioneve të krijuara nga Kongresi.

Kryetari Tom Kean i tha dje rrjetit Fox se kjo është një situatë unike.

"Ne mendojmë se është e rëndësishme që pikëpamjet e saj të bëhen të qarta. Ne i pranojmë argumentet e saj për ndarjen e pushtetit. Por mendojmë se kur bëhet fjalë për një tragjedi të këtyre përmasave, ndoshta argumente të tilla ligjore mund të kapërcehen."

Zonja Rice ka marrë një rol kryesor në kritikat ndaj Richard Clarke si dhe për të vënë në pikëpyetje besueshmërinë e tij.

Edhe republikanë kryesorë në Kongres po i kritikojnë pohimet e zotit Clarke. Ata thonë se ai e mbështeti mënyrën se si administrata e zhvilloi luftën kundër terrorizmit në një seancë me dyer të mbyllura të Kongresit në vitin 2002, dhe tani ngrenë argumentin se dëshmia e tij duhet bërë publike.

Në emisionin Meet the Press të rrjetit NBC, u pyet në lidhje me këtë çështje. Ai tha se duhet të bëhen publike të gjitha seancat me dyer të mbyllura që janë zhvilluar gjatë viteve, së bashku me mesazhet elektronike dhe dokumentat që lidhen me to.

Zoti Clarke mohoi përsëri se politikat ndërpartiake ishin burim i akuzave të tij ndaj administratës së presidentit Bush.

"Motivi që më shtyri të shkruaja librin ishte së pari për t’u treguar njerëzve që prej 2-3 vjetësh më kanë pyetur se çfarë ndodhi më 11 shtator dhe përse ne nuk ishim në gjendje ta ndalnim atë. Shpresoj se edhe komisioni i ngritur për të hetuar sulmet e 11 shtatorit do të jetë në gjendje t’i japë përgjigje kësaj pyetjeje. Por unë vetë doja ta thoja hapur."

Ai tha se nuk ka në plan të konkurojë për post publik dhe e bëri të qartë se po i jep fund karrierës në poste qeveritare. Zoti Clarke tha se 30 vjet në këtë karrierë ishin mjaft.

//ze//

XS
SM
MD
LG