Lidhje

Grossman: SHBA dënojnë dhunën në Kosovë, por njëkohësisht mbështesin vazhdimin e procesit të standardeve - 2004-03-29


Nënsekretari amerikan i shtetit, Marc Grosman, tha sot në Prishtinë se Shtetet e Bashkuara mbështesin standardet për Kosovën dhe dënojnë fuqishëm dhunën e ditëve të shkuara. Zoti Grosman, i cili gjatë ditës zhvilloi takime të vecanta me udhëheqësit kryesor politik ndërkombëtarë dhe vendorë dhe më pastaj takim të përbashkët me të gjithë drejtuesit e institucioneve dhe partive politike, tha se dhuna që ndodhi nuk guxon më të përsëritet dhe se përgjegjësit për aktet e tilla duhet të vihen para drejtësisë.

Zoti Grosman përshëndeti ata që janë të përcaktuar për ndërprerjen e dhunës, duke përfshirë forcat paqëruajtëse, Misionin e Kombeve të Bashkuara dhe udhëheqësit si kryeministri i Kosovës Bajram Rexhepi, me të cilin është takuar dy herë radhazi gjatë ditës në takime të vecanta. Ai përshëndeti vendimin e qeverisë për rindërtimin e objekteve të shkatërruara gjatë trazirave.

Zoti Grossman tha se “ka ardhur në Kosovë për të biseduar për të ardhmen, duke tërhequr vëmendjen në faktin se që më 10 dhjetor të vitit të kaluar Kombet e Bashkuara shpallën standardet për Kosovën të cilat u mbështetën nga Këshilli i Sigurimit. Kosova që dëshirohet tha zoti Grossman është ajo që është përshkruar në faqen e parë të standardeve, ku flitet për një Kosovë ku të gjithë pavarësisht nga përkatësia etnike, raca apo bindjet fetare, janë të lirë të jetojnë punojnë dhe lëvizin pa frikë nga armiqësitë dhe rreziqet, ku do të ketë tolerancë, drejtësi dhe paqe për të gjithë”. Ai tha se të gjithë bashkëbiseduesit e tij janë shprehur në favor të zbatimit të standardeve, ndërsa bëri të ditur se gjatë kësaj jave do të bëhet publikimi i planit për përmbushjen e standardeve. “Dhuna e ditëve të fundit e ka dëmtuar vizionin për Kosovën dhe shpresën për vlerësimin e përparimit deri në mesin e vitit 2005”, theksoi zoti Grossman. Por, ai nënvizoi ndërkaq se “ka ardhur në Kosovë për të porositur se nëse qytetarët e saj kanë vullnet për të ecur përpara, atëherë Shtetet e Bashkuara janë të gatshme të ndihmojnë që Kosova të arrijë sukses. Tash duhet përqëndruar në cështjet më me përparësi brenda standardeve sic janë një qeveri më efikase vendore, më shumë siguri e demokraci për komunitetet dhe që të krijohen vende të reja punë nëpërmjet përshpejtimit të privatizimit”.

Pesë vjet më parë tha ai NATO-ja ndërhyri për t’u siguruar qytetarëve të Kosovës mundësinë për të ndërtuar një shoqëri të paqes, përparimit dhe shpresës, prandaj sot udhëheqësit e Kosovës duhet të punojnë me vendosmëri për të krijuar një shoqëri që do të përmbushte standardet. Dhuna e ditëve të fundit, tha zoti Grossman, e vështirëson cdo bisedë për të ardhmen e Kosovës. Këtu tha ai, të gjithë duhet të ndërrojnë mënyrën e veprimit dhe kjo nënkupton ndjekjen e rrugës së përmbushjes së standardeve, afatizimi i të cilave është bërë që në nëntor të vitit të kaluar kur mesi i vitit 2005 ishte përcaktuar si periudhë e vlerësimit të standardeve dhe fillimit të mundshëm të bisedimeve për gjendjen në Kosovë.

Vizita e sotme e zotit Grossman është vlerësuar shumë e rëndësishme nga udhëheqësit politik të Kosovës. Ata thanë se standardet duhet të përmbushen, por tash është koha e thjeshtësimit dhe përshpejtimit të procesit të përmbushjes së tyre. Në nëntor të vitit të klauar zoti Grosman shpalli afatizimin e përmbushjes së stabdradeve në vizitën që atëbotë u cilësua si ngjarja më e rëndësishme në Kosovën e pasluftës. Vizta e sotme u tha se është një ngjarje tjetër shumë me peshë në momente të vështira që dëshmon përkushtimin e Shteteve të Bashkuara ndaj Kosovës.

//rd//

XS
SM
MD
LG