Lidhje

Hysa: Dhuna vështirëson bisedimet për të ardhmen e Kosovës - 2004-03-29


Nënsekretari amerikan i shtetit, Mark Grossman, i cili ndodhet në Prishtinë, dënoi me forcë dhunën e ditëve të fundit duke nënvizuar se ajo është e papranueshme dhe se nuk duhet të përsëritet. ”Dhuna, tha zoti Grossman, i vështirëson më tej bisedimet për të ardhmen e Kosovës”. Por çfarë ndikimi do të ketë vizita e nënsekretarit amerikan të shtetit në Kosovë? Drejtori i organizatës Aksioni Kosovar për Nisma Civile, Ylber Hysa, tha se mesazhi i zotit Grossman u lejon kosovarëve ”të ndërtojnë aspiratat e tyre duke respektuar parimet që vlerësohen pozitivisht nga bashkësia ndërkombëtare”.

Zëri i Amerikës: Zoti Hysa, sipas jush, me çfarë mesazhi erdhi në Kosovë zyrtari i lartë amerikan dhe a e pranuan këtë mesazh udhëheqësit politikë të Kosovës?

Ylber Hysa: Konsideroj se vizita e zotit Grossman ishte e një rëndësie të jashtëzakonshme për situatën në të cilën gjendet tani Kosova, sidomos, pas ngjarjeve të fundit, të cilat dëmtuan rëndë imazhin kosovar. Është hera e dytë që zoti Grossman po vjen në Kosovë në situata të cilat janë shumë të vështira për Kosovën, e sidomos e tanishmja, dhe mesazhi i tij që do të vazhdohet drejt një harte rruge, e cila nuk e shmang datën e premtuar për adresimin e statusit final, pra, të vitit 2005, gjithësesi është një mesazh shpresëdhënës, i cili do t’i inkurajojë institucionet e Kosovës dhe ata politikanë të moderuar, të cilët kanë treguar sens të lidershipit dhe gjithësesi nuk do t’i ndihmojë ata të tjerët të cilët tentojnë që, përmes një mesazhi pesimist, të ndërtojnë agjenda të tjera politike. Prandaj, këto fjalë të zotit Grossman, që vijnë nga një zyrtar i lartë amerikan, i një shteti i cili ende vazhdon të ketë një besim të plotë tek kosovarët, është i një rëndësie të jashtëzakonshme, sidomos në këto momente, kur kosovarët po përpiqen të rimendojnë atë që ka ndodhur, por, në të njëjtën kohë, me ngjarjet e fundit, konsiderojnë se i kanë shtyrë dhe kryeqytetet të mendojnë për një strategji më të shpejtë. Në këtë kuptim, ky mesazh, me siguri vjen në një kohë të duhur.

Zëri i Amerikës: Zoti Hysa, sa ndryshojnë forcat politike shqiptare në interpretimet e asaj që ka ndodhur në Kosovë para dy javësh?

Ylber Hysa: Gjithësesi, kjo është një pyetje për të cilën përgjegjen duhet ta japin vetë partitë politike dhe forcat e ndryshme politike. Konsideroj se disa prej tyre e kanë bërë pjesërisht, disa me gjysëm zëri, disa të tjerë kanë dashur që të mos përfshihen në të gjithë atë që ka ndodhur, mirëpo, pak a shumë mund të thuhet që të gjithë pajtohen me faktin që demonstrimet e dhunshme nuk shkojnë në të mirë të Kosovës. E dëmtojnë seriozisht imazhin e saj dhe jo vetëm partitë, ndoshta më shumë edhe qytetarët e kanë kuptuar që një gjë e tillë nuk do të sjellë asnjë të mirë për Kosovën dhe vetë kosovarët.

Zëri i Amerikës: A mund të thuhet zoti Hysa, se ekziston një strategji në radhët e palës shqiptare, në se mund ta quajmë të tillë, për daljen nga gjendja e krijuar?

Ylber Hysa: Konsideroj që pak a shumë konturet për një strategji janë thënë tashmë, në kuptimin që, si pasojë e ekzistencës së status quos, që nganjëherë është konsideruar edhe një lloj investimi i bashkësisë ndërkombëtare për të fituar kohë, është parë që kjo mund të jetë një fragjilitet dhe mund të konsumojë një frustrim, i cili pastaj mund të shpërthejë, prandaj konturet e një strategjie janë që duhet më shumë një partneritet i ndërtuar në mes të bashkësisë së ndërkombëtarëve dhe kosovarëve që në këtë fazë të ndërtojnë një proces i cili do t’u lejojë edhe kosovarëve të kenë një sens të pronës në këtë proces dhe duke kompletuar institucionet kosovare dhe duke kompletuar qeverinë që t’i lejojë ata që të jenë bartës të procesit. Nuk mund të ketë, sipas kosovarëve, më një vazhdim të një procesi ku nuk ka bashkërenditje të këtyre forcave dhe pak a shumë kjo strategji e parasheh me siguri edhe një lloj bartjeje të kompetencave dhe adresim pastaj të këtyre problemeve të cilat pastaj gradualisht duhet të çojnë nga përmbyllja e statusit final i cili nuk mund të shtyhet pa kufi.

Zëri i Amerikës: A mendoni, zoti Hysa, se nën-sekretari Gorssman e kishte fjalën pikërisht për këto faktorë që ju përmendët tani, kur tha se gjërat duhet të ndryshojnë në Kosovë?

Ylber Hysa: Po, unë konsideroj se zoti Grossman ka sjellë një ton qetësues në kuptimin që nuk ka hequr dorë nga procesi i paralajmëruar, por duket që në pakon e tij, që ndoshta mund të quhet ”Plani Grossman”, ka bërë që standartet të kenë prioritete në fazën e implementimit dhe këtu duket që është përmendur çështja e rendit dhe ligjit, përfshirë të drejtat për pakicat, që duhet të jenë: qarkullimi i lirë, respektimi i pronës dhe ndoshta mundësia për ta adresuar në një formë ose në një tjetër decentralizimin, i cili do të duhej të ishte i mirë për të gjithë qytetarët. Konsideroj që ky është një mesazh i cili u lejon kosovarëve që të ndërtojnë aspiratat e tyre duke respektuar principet të cilat do të ishin të vlerësuara pozitivisht nga bashkësia ndërkombëtare. //az//

XS
SM
MD
LG