Lidhje

Protesta kundër kryeministrit Nano - 2004-03-30


Ndërkohë që në oborrin e Shtëpisë së Bardhë zhvillohej ceremonia e pranimit të vendeve të reja në Nato, ku merrte pjesë edhe kryeministri shqiptar Fatos Nano një grup shqiptaro amerikanësh kishin dalë për të protestuar kundër kryeministrit, të cilin ata e mbajnë përgjegjës për korrupsionin dhe krimin e organizuar në Shqipëri. Shqiptaro-amerikanë të ardhur nga shumë qytete të Shteteve të Bashkuara mbanin parrulla të shumta në shqip e anglisht ku bëhej thirrje për largimin e kryeministrit Nano nga pushteti dhe pastrimin e Shqiqërisë nga korrupsioni dhe krimi i organizuar. Nënkryetari i shoqatës mbarë shqiptare Vatra, Gjon Buqaj, thotë se Shqipëria sot ka nevojë për një qeveri teknike që do ta përgatiste për zgjedhje të reja të lira e të drejta. Veprimtari veteran shqiptaro amerikan fajëson socialistët dhe kryeministrin Fatos Nano për prapambetjen e vendit, varfërinë e korrupsionin që sipas tij morën përmasa të papara që nga viti 1997 me rrëzimin e qeverisë demokratike.

Zoti Buqaj thotë se ishin socialistët, me politikën e tyre të tokës së djegur në vitin 1997, që u bënë shkak për pengimin dhe kthimin prapa të vendit nga rrugën e zhvillimit. Sipas tij, Shqipëria sot të të ishte mes vendeve që u antarësuan në Nato, sikur të mos kishin ndodhur ngjarjet e 97-ës, ngjarje që ai i quan një komplot komunist. Prandaj është turp, që kryeministri Nano të marrë pjesë në këtë ceremoni, thotë nënkryetari i shoqatës Vatra.

Protesta e djeshme u organizua nga Gjenerata e re Shqiptare, një nga organizatat më të reja shqiptaro amerikane më degë në New York, New Jersey, Washington D.C., Teksas e shtete të tjera. Nënpresidenti i kësaj shoqate, Hasan Metuku, student i fakultetit Juridik në universitetit Amerikan, tha se qëllimi i kësaj demonstrate është të dënohet të gjitha dukuritë negative me të cilat përballet sot Shqipëria, përfshirë krimin, drogën dhe korrupsionin qeveritar.

Demonstrata, e cila tërhoqi vemendjen e kalimtarëve të rastit, u zhvillua e qetë dhe pa asnjë problem.

//rd//

XS
SM
MD
LG