Lidhje

Serbia do të ndihmojë financiarisht Millosheviçin dhe serbë të tjerë të akuzuar për krime lufte - 2004-03-31


Parlamenti i Serbisë miratoi një ligj që do t’i sigurojë ish Presidentit Sllobodan Millosheviç dhe serbëve të tjerë të akuzuar për krime lufte ndihmë financiare dhe privilegje të tjera. Legjislacioni i ri, i cili u miratua me 141 vota në favor dhe 35 kundër, ka çuar në rritjen e tensionit në sektorë të caktuar të qeverisë:

Ligji mbi ndihmën për serbët që mbahen nga gjykata e Hagës dhe familjet e tyre, i miratuar të martën nga parlamenti i Serbisë, ishte hartuar nga aleatët politikë të ish Presidentit Millosehviç, partitë e të cilëve u paraqitën shumë më mirë në zgjedhjet e fundit. Përkrahësit thonë se legjislacioni është i nevojshëm për t’u siguruar serbëve të akuzuar për krime lufte mbrojtje më të mirë ligjore.

Mirëpo, partitë e vogla të koalicionit qeveritar votuan kundër legjislacionit. Një zyrtar, Vlajko Seniçi, u tha mjeteve serbe të informimit se parlamenti duhej fillimisht të kishte diskutuar rreth ndihmës për viktimat e zotit Millosehviç. Kundërshtarët thonë se Serbia është tepër e varfër dhe nuk mund t’i japë ndihmë financiare qytetarit të saj më të pasur.

Partia Demokratike e Serbisë, e udhëhequr nga kryeministri Vojisllav Koshtunica, votoi në favor të legjislacionit.

Hartimi dhe miratimi i legjislacionit u motivuan pjesërisht nga shqetësimi i qeverisë serbe se sikur zoti Millosehviç dhe ish zyrtarë të tjerë të lartë të dyshuar serbë të shpallen fajtorë dhe të dënohen nën akuzat përkrime lufte, Korcisë dhe Bosnje Hercegovinës do t’u krijoheshin mundësitë të ngrenë padi prej miliarda dollarësh kundër Serbisë pranë Gjykatës Botërore. Këto vende tani të pavarura u sulmuan nga forcat serbe të regjimit Millosheviç gjatë shpërbërjes së dhunëshme të Jugosllavisë në vitet 1990.

Sipas ligjit të ri, zoti Millosheviç dhe rreth 20 serbë të tjerë të akuzuar për krime lufte, të cilët mbahen nga autoritetet e gjykatës së Kombeve të Bashkuara në Hagë, do të marrin paga ende të pacaktuara. Përveç kësaj, shteti ka në plan të mbulojë shpenzimet për avokatët e të pandehurve dhe për anëtarët e familjeve të tyre kur të shkojnë në Hagë për t’i vizituar ata.

Shteti do të mbulojë bisedat telefonike dhe shpenzime të tjera përkatëse. Anëtarët e familjeve të të pandehurve do të kenë mundësi t’u dërgojnë atyre paketa, kostaja e të cilave do të mbulohet nga paratë e taksapaguesve serbë.

Legjislacioni u hartua fillimisht nga Partia ultranacionaliste Radikale Serbe, udhëheqësi i së cilës, Vojisllav Shesheli, pret të dalë në gjyq në Hagë nën akuzat për krime lufte. Kjo veprimtari kishte mbështetjen e plotë të Partisë Socialiste Serbe të zotit Millosehviç.

Zyrtarët perëndimorë kanë shprehur zemërim të thellë ndaj ligjit, duke thelluar kështu shqetësimet ndërkombëtare se Kryeministri Koshtunica do të jetë më pak i prirur se paraardhësi i tij të bashkëpunojë me gjykatën ndërkombëtare për krime lufte. Mbijetesa e tij politike varet nga aleatët me ndikim të zotit Millosehviç në parlamentin serb. Zoti Koshtunica ka sugjeruar tashmë se serbët e akuzuar për krime lufte duhet të gjykohen në Serbi e jo në Hagë.

Vendet dhuruese perëndimore e kanë paralajmëruar Serbinë se bashkëpunimi me gjykatën për krime lufte është kusht shumë i rëndësishëm për ndihmën ekonomike të nevojshme për rindërtimin e vendit pas një dekade luftash ballkanike, në të cilat humbën jetën rreth 250 mijë njerëz.

LEADOUT:

XS
SM
MD
LG