Lidhje

SHBA: Shumica e amerikanëve dakord me kritikat e ish-shefit të kundërterrorizmit - 2004-04-01


Sipas një anketimi të ri, shumica e amerikanëve janë dakord me kritikat e ish-shefit të luftës kundër terrorizmit të Shtëpisë së Bardhë, Richard Clarke për masat e marra nga presidenti Bush për luftën kundër terrorizmit gjatë muajve para dhe pas sulmeve terroriste të 11 shtatorit në Shtetet e Bashkuara.

Në anketimin e zhvilluar nga gazeta ”Los Anxhelos Times”, thuhet se rreth tre të pestat e pjesëmarësve në të, besojnë pohimin e zotit Clarke se administrata e presidentit Bush i kushtoi më tepër përparësi pushtimit të Irakut, se sa luftës kundër terrorizmit.

Po sipas anketimit, 52 përqind e amerikanëve janë të mendimit se administrata e presidentit Bush nuk i mori seriozisht kërcënimet për sulme terroriste para 11 shtatorit.

Por, tre të pestat e të anketuarve thonë gjithashtu se janë të mendimit se libri i botuar kohët e fundit i zotit Clarke lidhur me këtë çështje, kishte motive politike.

Sipas anketimit të gazetës ”Los Anxhelos Times”, midis votuesve të regjistruar, 49 për qind e tyre do të votonin në favor të kandidatit presidencial të Partisë Demokrate John Kerry, i cili ka 3 për qind vota më tepër se zoti Bush.

Sipas anketimit, 51 për qind e votuesve e mbështesin kandidaturën e presidentit Bush dhe 44 për qind e tyre nuk janë dakord me të. //kk//

XS
SM
MD
LG