Lidhje

Debati midis republikanëve dhe demokratëve në Kongres - 2004-04-05


Ndërkohë që Dhoma e Përfaqësuesve ndërpreu punimet për dy javë pushime, republikanët dhe demokratët vazhdojnë të debatojnë për çështje të politikës së brendëshme dhe të jashtme. Republikanët thonë se statistikat e fundit tregojnë që politikat e ndjekura nga administrata e presidentit Bush po funksionojnë si duhet. Kurse demokratët thonë se ato flasin për vazhdimin e dobësive në ekonominë e vendit.

Statistikat e Departamentit të Punës që tregojnë se gjatë muajit mars u krijuan 308 mijë vende të reja pune ndezën debatin midis demokratëve dhe republikanëve që përpiqen të japin interpretimin e tyre për shifrat.

Demokratët prej disa kohësh kritikojnë politikat e administratës së presidentit Bush, veçanërisht shkurtimin e taksave të miratuar nga kongresi i kontrolluar nga republikanët që sipas tyre ka çuar në humbjen e gati 3 milion vendeve të punës.

Megjithatë tabloja është ndiçuar disi me rritjen e numrit të njerëzve që kanë gjetur punë gjatë tre muajve të parë të vitit në gati 500 mijë.

Ligjvënësit republikan përdorën konferencat e shtypit për të trumpetuar këtë arritje.

Duke argumentuar se statistikat tregojnë se ekonomia është gati të hyjë në një periudhë të qëndrueshme rritjeve, republikanët kritikojnë demokratët se po tregohen si pesimist që kërkojnë të mbrapsin strategjitë e suksesshme të presidentit.

Republikanët gjithashtu ndërmorrën një raund të ri sulmesh mbi kandidatin e mundshëm të partisë demokratike për president, senatorin John Kerry, për deklaratat e tij që ata thonë se tregojnë që ai do të rrisë taksat për amerikanët.

Ligjvënësi republikan Bob Beauprez thekson një nga pikat kyçe që republikanët po përdorin në fushatën e tyre kundër zotit Kerry:

"Republikanët në kongres kanë vendosur kursin e duhur dhe nuk është koha të ndërrohet kapiteni". Të gjitha këto i vënë demokratët në pozita mbrojtëse.

Në një interviste për Zërin e Amerikës dhe agjensi të tjera lajmesh, udhëheqësja e demokratëve në Dhomën e Përfaqësuesve Nancy Pelosi pranoi se statistikat janë lajme të mira. Por zonja Pelosi vë në pikëpyetje qëndrueshmërinë e kësaj tendence.

"Asnjë nga këto vende pune nuk është në fabrika. Prandaj shtroj pyetjen ku janë vendet e reja të punës? Ndërkohë që u krijuan 308 mijë vende të reja pune muajin e kaluar, niveli i papunësisë u rrit me 5 presje 7 përqind. Mendoj se kjo është reflektimi i faktit që shumë njerëz janë të lodhur së kërkuari dhe shumë të tjerë do të kthehen në punë të pashpresë", thotë ligjvënësja.

Përsa i përket politikës së jashtme, demokratët duket se po përdorin me maturi vrasjet makabre të civilëve amerikanë në Irak si bazë të kritikave të tyre ndaj politikave të administratës. Zonja Pelopi vë në pikëpyetje mënyrën e transferimit të pushtetit këtë vit në duar e këshillit qeverisës irakian në një kohë që situata vazhdon të mbetet e paqëndrueshme.

//rd//

XS
SM
MD
LG