Lidhje

Irani pranon të intensifikojë bashkëpunimin me agjencinë e OKB-së për energjinë bërthamore - 2004-04-07


Irani ka rënë dakord të intensifikojë bashkëpunimin me agjencinë e Kombeve të Bashkuara për energjinë bërthamore në përpjekje për të provuar se nuk po përpiqet të zhvillojë armë atomike.

Kreu i Agjencisë Ndërkombëtare për Energjinë Atomike, Muhamed El Baradei, tha se qeveria e Teheranit ka rënë dakord të japë brenda 15 majit infromcionin e nevojshëm për t’u dhënë fund mosmarrëveshjeve me komunitetin ndërkombëtar. Zoti El Baradei e bëri këtë njoftim pas një takimi pesë orësh në Teheran me kreun e programit bërthamor të Iranit, Gholamreza Aghazadeh.

Një prej çështjeve për të cilën agjencia e OKB-së kërkon përgjigje është origjina e uraniumit të cilësisë për armë që është gjetur në Iran.

Zoti Aghazadeh tha se Irani do të ndërpersë këtë javë ndërtimin dhe montimin e centrifugëve që përdoren për pasurimin e uraniumit. Teherani ra dakord vitin e kaluar të pezullojë pasurimin e uraniumit si hapë për të zhdukur shqetësimet ndërkombëtare rreth programit të tij bërthamor.

Në Washington, zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Adam Ereli, tha se do të ishte diçka e shumë e mirë sikur Irani të përmbushë premtimin për të shtuar bashkëpunimin me Agjencinë Ndërkombëtare për Energjinë Atomike. Por, ai shtoi se derisa Irani ta bëjë këtë gjë, procesi i hetomor dhe i inspektimit i agjencisë së OKB-së duhet të vazhdojë. Një ekip tjetër inspektorësh të OKB-së do të vizitojë Iranin më 20 prill për të vërtetuar se të gjitha veprimtaritë për pasurimin e uraniumit janë ndërprerë.

Bordi i Agjencisë Ndërkombëtare për Energjinë Atomike do të mblidhet përsëri në qershor për të diskutuar rreth çështjes së Iranit.

XS
SM
MD
LG