Lidhje

Itali: Qeveria u shpërndan fermerëve në Siçili tokat e sekuestruata nga mafia - 2004-04-08


Qeveria italiane ka filluar t’u shpërndajë fermerëve dhe sipërmarrësve në Siçili parcela të mëdha toke dhe pasuri të sekuestruara nga mafia. Kjo masë synon të krijojë vende pune dhe mundësi për përparim për siçilianët e ndershëm nga pronat që dikur zotëronin kriminelët më famëkeq të këtij ishulli.

Për shumë të huaj si dhe për disa italianë, Siçilia është sinonim me mafian. Por gjatë viteve të fundit, ky ishull është përpjekur të lërë pas imazhin se këtu çdo gjë kontrollohet nga kriminelët dhe banorët me krenari të tregojnë se një pjesë e mirë e ekonomisë është në duart e njerëzve të ndershëm të organizuar në kooperativa fermerësh dhe sipërmarrësish.

Këto kooperativa administrojnë prona me vlerë prej miliona dollarësh që dikur kontrolloheshin nga mafia. Këto masa filluan të vihen në zbatim në vitin 1996, bazuar në një ligj që u miratua më shumë se 2 dekada më parë.

Kryetari i Bashkisë së qytetit Corleone, Nicolo Nicolosi, thotë se mafia i kishte siguruar këto prona me rrugë të paligjshme. Ajo kontrollonte tokat më të mira, të cilat tani po i kthehen popullit. Corleone është një fshat i vogël fermer, 60 kilometra në jug të Palermos, i cili ka marrë emër nga filmi Godfather i Francis Coppolas. Zoti Niccolosi thotë se fama që ka marrë ky fshat ka një bazë reale, pasi në Corleone kanë lindur disa nga mafiozët më me zë. Kreu mafioz Toto Riina, i cili u arrestua në vitin 1993, është nga Corleone. Pas arrestimit të tij u konsfiskuan sipërfaqe të mëdha toke.

Kur tokat e mafiozit Toto Riina iu shpërndanë fermerëve në kooperativa, disa nga banorët druheshin se do ta pësonin po të futeshin në pronat e tij, të cilat konsideroheshin si territor i shenjtë.

Kryetari i Bashkisë thotë se njerëzit trembeshin se mafia do të ekzekutonte ata që dhunonin pronat e saj. Kështu mendonin në fillim fermerët e kooperativës Placido Risoto së cilës iu dhanë 200 hektarë tokë nga pronat e Riinës.

Vitin e parë, tregon Francesca Massimo, nuk gjenim tregtar që të na shiste autokombaina për grurin. U desh të ndërhynte policia. Ajo tregon se kompania që ka ofruar t’u shesë autokombainën është kërcënuar. Por siçilianët ia dolën mbanë dhe së shpejti do të përurojnë hotelet e para, si dhe një vreshtë në ish-pronat e mafies. Edhe kooperativa të tjera kanë ndeshur vështirësi në fillim. Janë djegur vreshta, ose janë vrarë qentë roje.

Giuseppe Randazzo i një kooperative që tani prodhon verë të bardhë nga vreshtat në ish-pronat e mafias, thotë se kooperativa ia ka dedikuar verën e prodhuar një fëmije të vrarë nga mafia.

Në Siçili, ku papunësia prek 20 për qind të popullsisë së aftë për punë, kooperativat ofrojnë mundësi të vlefshme. Kryetari i Bashkisë së Corleones, Niccoli Niccolosi thotë se duke u shpërndarë njerëzve të thjeshtë pronat e mafias, është pakësuar deri diku edhe frika e njerëzve nga mafia. //kk//

XS
SM
MD
LG